Te 85 mijë të punësuar pritet të ketë rritje të rrogës pas marrëveshjes së fundit ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, sot ka sqaruar që përmes marrëveshjes së arritur ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe sindikatave, pritet që nga shtatori i këtij viti të ketë rritje të rrogave për 85 mijë të punësuar, transmeton Portalb.mk.

“Me marrëveshjen që kemi arritur me sindikatat, 85.000 të punësuar në administratën shtetërore në nivel qendror, shfrytëzuesit buxhetorë dhe në institucionet do të përfitojnë rritje të pagave prej 10% duke filluar me pagesën e pagës për muajin shtator, ndërsa gjithashtu atyre do t’u paguhet edhe K-15 në vlerë prej 10.000 denarëve”, deklaroi Besimi.

Ai sqaroi që mjetet financiare do të sigurohen me rishikimin e buxhetit në muajin shtator, ndërsa marrëveshjen me sindikatat e llogariti si zgjidhje sistematike dhe të qëndrueshme.

“Ministri tha se është rënë dakord për vendosjen e zgjidhjes sistematike për rritjen e rregullt të pagave në sektorin publik nga viti 2025, po ashtu nga viti i ardhshëm edhe regresi i pushimit vjetor do të paguhet në vlerë prej 30% të pagës mesatare të paguar”, deklarojnë nga Ministria e Financave.

Ndryshe, ministrja për Punë dhe Politikë Sociale në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Jovanka Trençevska, më 10 korrik ka deklaruar që kanë arritur marrëveshje me sindikatat rreth rritjes së rrogës dhe çështje tjera.

Më 3 korrik, Këshilli Ekonomiko-Social (KES) mbajti seancë të udhëhequr nga ministrja Trençevska. Në seancë u prezantuan simulimet e reja sipas rritjes së pagave të propozuar paraprakisht nga përfaqësuesit e sindikatave. Pas propozimeve të dhëna, mes të pranishmëve u hap diskutim. Megjithatë, nuk pati vendim. Partnerët socialë ranë dakord që negociatat e mëtejshme për Metodologjinë për rritjen e pagave në sektorin publik do të zhvillohen në një grup më të vogël pune të përbërë nga anëtarë të KES, i cili do të punojë shpesh dhe do të dalë me propozime deri në seancën e ardhshme të KES.

Paraprakisht, u prezantua Metodologjia për rritjen e pagave në sektorin publik, e cila propozon një periudhë të re tranzicioni nga viti 2023 – 2025, pra rritje të pagave për një periudhë 2.5 vjeçare. Sindikatat, nga ana tjetër, vlerësuan se ka një zhvendosje nga “pika e vdekur, por nuk devijojnë nga kërkesat sepse ajo që ofrohet nuk është e pranueshme për ta.

Paga mesatare mujore neto për të punësuar, gjatë muajit prill 2023, është 36.134 denarë, ndërsa paga mesatare mujore bruto për të punësuar, gjatë muajit prill 2023, është 54.177denarë, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.