RMV, nuk ka vendim për rritjen e pagave, negociatat do të zhvillohen nga një grup më i vogël i Këshillit ekonomiko-social

Këshilli Ekonomiko-Social (KES) vazhdoi sot me seancën e njëmbëdhjetë të udhëhequr nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska. Në seancë u prezantuan simulimet e reja sipas rritjes së pagave të propozuar paraprakisht nga përfaqësuesit e sindikatave. Pas propozimeve të dhëna, mes të pranishmëve u hap një diskutim konstruktiv. Partnerët socialë ranë dakord që negociatat e mëtejshme për Metodologjinë për rritjen e pagave në sektorin publik do të zhvillohen në një grup më të vogël pune të përbërë nga anëtarë të KES, i cili do të punojë shpesh dhe do të dalë me propozime deri në seancën e ardhshme të KES, transmeton Portalb.mk.

Në takim morën pjesë zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, Razmena Çekiq-Duroviq, Sekretare Shtetërore e Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësues të sindikatave – anëtarë të këshillit ekonomiko-social, sindikata jopërfaqësuese dhe përfaqësues të institucioneve.

“Qëllimi i Qeverisë është krijimi i një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm nga i cili përfitojnë të gjithë dhe vendosja e të njëjtës metodologji për të gjithë punonjësit në sektorin publik”, thonë nga MPPS.

Në seancën e fundit u prezantua Metodologjia për rritjen e pagave në sektorin publik, e cila propozon një periudhë të re tranzicioni nga viti 2023 – 2025, pra rritje të pagave për një periudhë 2.5 vjeçare.

“Pas diskutimit konstruktiv mes partnerëve socialë lidhur me propozimin, u konstatua se periudha e tranzicionit prej 2.5 vitesh është e pranueshme dhe përfaqësuesit e qeverisë do të bëjnë simulime të reja sipas propozimeve të ofruara nga sindikatat”, tha MPPS, duke vlerësuar se ka progres në negociata.

Sindikatat, nga ana tjetër, vlerësuan se ka një zhvendosje nga “pika e vdekur, por nuk devijojnë nga kërkesat sepse ajo që ofrohet nuk është e pranueshme për ta.

“Do të shohim të hënën nëse do të ketë matematikë të re nga Qeveria”, tha pas seancës kryetari i Sindikatës së UPOZ-it, Tërpe Deanoski.

Ai para fillimit të seancës tha se përqindjet e ofruara nga qeveria, tre për qind e vlerës së një pike, në kushtet e inflacionit prej 14.5 për qind, që, theksoi, nuk është as afër 78 për qind që kanë marrë zyrtarët, janë të papranueshme për ta.

Kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov, nga ana tjetër, tha se më së paku që është e pranueshme për ta është harmonizimi i pagave në aktivitetet e tyre dhe në sektorin publik për 12.55 për qind, gjegjësisht përafërfisht sa paga minimal që u rrit në mars të këtij viti.

“Për këtë arsye pres që të jetë një minimum i arsyeshëm prej 12.55 për qind për këtë vit dhe korrigjimi i mëtutjeshëm i pagave për aq për qind sa praktikisht inflacioni i ka ngrënë pagat në vitet e fundit, përkatësisht paga minimale është rritur në raport me pagat reale sipas Marrëveshjes Kolektive”, tha Nedellkov.

Sa i përket modelit të llogaritjes, propozimi i sindikatës është paga minimale e shumëzuar me koeficientin e kompleksitetit të vendeve të punës, ndërsa e Qeverisë është paga mesatare e shumëzuar me koeficientin përkatës të kompleksitetit, që sipas Nedelkovit “do të thotë se janë aty diku”.

Ministri i Financave Fatmir Besimi në një konferencë për media në fundjavë tha se gjithçka është duke shkuar drejt zgjidhjes, duke theksuar se është thelbësore që ajo të jetë sistematike, por është e rëndësishme të definohen pagat dhe periudha e tranzicionit.

“Jemi në komunikim intensiv, do të takohemi të hënën, ndoshta edhe një herë gjatë javës. Po shkojmë drejt zgjidhjes. Kemi një platformë ku flasim. Në parim, ne jemi dakord në parim, lëvizim në atë se si të hartojmë paketën dhe është thelbësore që të ketë një zgjidhje sistematike në Kontratën e Përgjithshme Kolektive dhe të përcaktojë dinamikën e pagave. Do të ketë sistem të unifikuar. Tani ka metoda të ndryshme, modele të ndryshme, e fundit është paga minimale plus pikë. Ata kanë menduar edhe nëse duhet të jetë paga minimale apo ajo mesatare, kanë qenë më shumë pro pagës mesatare. Për ne ka qenë ashtu siç ka kërkuar nga Sindikata që ne të përshtatim modelin. Gjëja e fundit që po diskutohet është për pagën mesatare dhe duhet një periudhë tranzicioni për të hyrë në atë sistem. Koeficient me pagë mesatare dhe periudhë tranzicioni”, tha Besimi në brifing me mediat.

E di, tha Besimi, se presioni socio-ekonomik është i madh, por detyra ime është të them se cila kapacitete kam.

“Ajo që kemi thënë për Buxhetin në Kuvend është kjo. Nga buxheti i sektorit publik janë marrë gjithsej një miliard euro, pra 960 milionë. Dhjetë për qind do të thotë gati 100 milionë euro plus. Por prandaj po flas për të ecur drejt zgjidhjes, prandaj duhet një periudhë tranzicioni”, sqaroi Besimi.

Nga institucionet shtetërore, punonjësit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike shpallën grevë të përgjithshme duke kërkuar rritje të pagave prej 30 për qind, e cila mund të realizohet me një marrëveshje të re kolektive për të cilën duhet të marrin pëlqimin për nënshkrim nga Ministria e Financave. Javën e kaluar, ushëheqësia e DAP-it dhe sindikata filluan bisedimet me një pajtues për të gjetur një zgjidhje.

“Paga mesatare mujore neto për të punësuar, gjatë muajit prill 2023, është 36 134 denarë, ndërsa paga mesatare mujore bruto për të punësuar, gjatë muajit prill 2023, është 54 177 denarë”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.