Arsimtarët do të marrin paga 10 përqind më të larta, por nuk dihet se kur

Të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm në vend duhet të marrin paga më të larta për rreth 10 përqind, por tani për tani është e paqartë se kur do të fillojë pagesa. Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës për Arsimi, Shkencë dhe Kulturë (SAShK), thotë për Meta.mk se në fakt është një marrëveshje që duhet të nënshkruhet nga SASHK-u dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) këtë verë, me të cilën do të harmonizohen paga minimale dhe pagat në sektorin e arsimit, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka konfirmuar për Meta.mk se do të ketë rritje të pagave, por për momentin nuk mund të thuhet saktësisht se kur.

“Paga minimale në shtet po rritet në bazë të inflacionit dhe rritjes së kostove të jetesës, dhe rrjedhimisht, paga më të larta u detyrohen të gjithë punonjësve në arsim (përveç atyre që ishin tashmë nën pagën minimale dhe kishin rritje në mars). Kjo rritje tashmë është negociuar, presim që Ministria e Financave të japë pëlqimin dhe të realizohet”, tha Nedelkov.

Rritja që duhet të ndodhë është rreth 10 përqind, që do të thotë se mësuesi që ka pagë prej 30 mijë denarë do të marrë rreth 33 mijë denarë në të ardhmen.

Ministri Shaqiri thotë për se pritet marrëveshja e përgjithshme kolektive për të ditur se cili model do të aplikohet me rritjen e pagave.

“Për pyetjen nëse mësuesit do të kenë rritje page nga shtatori, përgjigja është edhe po edhe jo. I gjithë procesi është në progres, do të shohim modelin e pagave që duhet të aplikohet, kështu që do të shihet se kur do të fillojë pagesa”, tha Shaqiri.

SASHK-u vitin e kaluar protestoi për paga më të larta. Ata kanë arritur rritje prej rreth 4 mijë denarë, e më pas në shkurt kanë marrë edhe 1 mijë denarë.

Paga bazë fillestare e mësuesit në arsimin fillor është 29.000 denarë. Për SASHK-un, modeli i pagave i aplikuar në sektorin publik, me pikë dhe rritje lineare të pagave, nuk është i pranueshëm, por modeli i përqindjes, me koeficientë, është i pranueshëm për ta.