Taravari: Kanë kaluar 72 orë dhe të gjithë të lënduarit rëndë nga tragjedia në Koçan janë gjallë

Ministri i Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministri Arben Taravari mëngjesin e sotëm para qendrës së urgjencës në Shkup ka dhënë deklaratë për media ku ka njoftuar opinionin se deri më tani kanë kaluar 72 orë dhe asnjë nga të mbijetuarit në tragjedinë e Koçanit nuk ka vdekur, transmeton Portalb.mk.

Gjithsej 178 pacientë trajtohen në institucione të ndryshme. Prej tyre, 64 janë në spitale anembanë Maqedonisë, 13 prej tyre janë në spitale private. 101 pacientët tjerë janë në disa institucione shëndetësore jashtë Maqedonisë në disa vende.

Taravari tha se të 178 pacientët që janë shtruar në spital janë në gjendje relativisht stabile dhe shpreson për shërim të shpejtë për të gjithë, duke ritheksuar se nuk ka pasur vdekje të reja.

Sot do të bëhet transporti i fundit i pacientëve nga Maqedonia jashtë vendit, ku në Suedi do të shkojnë 5 persona. Me këtë do të përfundojë transferimi i pacientëve jashtë vendit, bëri të ditur ministri e Shëndetësisë.

Taravari dhe ministri i Jashtëm Timço Mucunski dje kanë vizituar të gjithë pacientët në të gjitha institucionet që po trajtohen në Greqi dhe Bullgari. Taravari tha se gjatë vizitës së të gjithë pacientëve në të dyja vendet kanë marrë pjesë sipas rregullave, me mbrojtje të plotë.

Ai nuk ka dashur të komentojë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili së bashku me ekipet gazetareske ka vizituar të plagosurit në Beograd, me ç’rast ka hequr edhe maskën. Taravari thotë se ai ishte i veshur siç duhet me veshje mbrojtëse gjatë vizitave të tij siç kërkohet nga protokollet e spitalit për të mbrojtur pacientët.

Ai shtoi se nga nesër 2 pacientë do të lirohen nga spitali i Shtipit për trajtim shtëpiak, vetëm njëri do të mbahet më gjatë.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.