Taravari dhe Mucunski në Selanik: Pacientët që ndodhen në Greqi janë në gjendje stabile

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dhe ai i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski kanë vizituar mëngjesin e sotëm të lënduarit nga zjarri në Koçan, të cilët janë të shtruar në spitalin Papanikolaou dhe atë Ushtarak në Selanik, transmeton Portalb.mk.

Taravari njofton se pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa ka falënderuar kolegët në Greqi për ndihmën.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit së bashku me Ministrin për punë të jashtme z. Timço Mucunski dhe me Dr. Ilir Velën erdhëm në Selanik për të parë gjendjen e pacientëve të shtruar këtu. Sapo dal nga spitali “G. Papanikolaou General Hospital” dhe Spitali Ushtarak në Selanik, të 5 pacientët që janë shtruar në këto spitale janë për momentin stabil. Falënderoj kolegët tanë të Selanikut, popullin dhe qeverinë greke për përkushtimin dhe ndihmën e tyre! Do ju mbajmë të informuar për pacientët e tjerë!”, ka shkruar Taravari.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Deri në këto momente sipas 360 Gradë, 14 persona kanë përfunduar në paraburgim 48 orësh, mbi 20 persona janë të dyshuar, për dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm.

Ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovskit dhe 12 personave të tjerë, në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore në Koçan, gjyqtari i ka dënuar me paraburgim në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish drejtori për Menaxhim  me kriza, Bekim Maksuti dhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskitha se disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje penale juridike kanë vdekur, disa janë në spital.