“Talir 2”, lënda ku i dënuar është edhe Gruevski, u kthye në rigjykim

Gjykata e Apelit Shkup, për shkak të ndryshimeve të Kodit penal në pjesën e veprës penale nga neni 353 të KP, e hoqi aktvendimin e shkallës së parë për rastin “Talir 2” dhe lëndën e ktheu në rigjykim para gjykatës së shkallës së parë, raporton MIA. Për rastin “Talir 2” ishin të dënuar ish-kryeministri në arrati, Nikolla Gruevski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, për ndërtim të selisë së partitë politike VMRO-DPMNE në Shkup.

“Gjykata e Apelit Shkup vendosi rreth lëndës KZH-232/23, e njohur në opinion si Talir 2, pas mbledhjes së mbajtur publike më 23.11.2023, ndërkaq në pjesën jopublike të seancës më 26.01.2024, solli vendim me të cilin i fuqizoi ankesat e të akuzuarve N.G., K.B., në PTHP Shkup dhe personit juridik VMRO-DPMNE, të gjitha të deklaruara kundër aktvendimit të Gjykatës themelore penale Shkup K.nr 1413/19 të datës 07.06.2022, ndërsa duke vendosur rreth ankesave dhe sipas detyrës zyrtare për shkak të ndryshimeve në Kodin penal në pjesën e veprës penale nga neni 353 të KP-së, e hoqi aktvendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ktheu në rigjykim para gjykatës së shkallës së parë”, kumtojnë nga Apeli.

Gruevski i mori edhe paraburgim të ri prej 30 ditëve, llogaritur nga dita e gjetjes së tij dhe privimit nga liria.

“Njëherit, me vendim të posaçëm, Gjykata ndaj të akuzuarit N.G. –  i pakapshëm për organet e ndjekjes, caktoi masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve, duke llogaritur nga dita e gjetjes së tij dhe privimit nga liria, ndërs aprë shkak të ekzistimit të shkaqeve të parapara në nenin 165 paragrafi 1 pika 1 të LPP – rrezik nga ikja”, ceket në kumtesën e Gjykatës së Apelit Shkup.

Aktvendimin për “Talir 2” Gjykata penale e solli më 7 qershor 2022, sipas të cilit Gruevski dhe Bozhinovski e kanë shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe autorizimin dhe në kundërshtim me ligjet për parti politike dhe për financim, mundësuan lidhje të kontratave për ndërtim mes partisë dhe personit juridik “SHA Beton” dhe në mënyrë të paligjshme përfituan objekt dhe dobi pronësore prej mbi 132 milionë denarëve. Sipas aktvendimit të shkallës së parë Gruevski mori gjashtë vite burg, Bozhinovski u dënua me kusht, ndërsa gjykata solli edhe vendim për konfiskim të selisë partiake të VMRO-DPMNE-së

Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Gruevski u arratis në Hungari dhe po gjykohet në mungesë në të gjitha proceset. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski,  akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023. Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.