RMV, u shpall konkursi i ri në vlerë prej 5 milionë euro nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik sot ka shpallur Konkursin publik për financimin  e projekteve për zhvillim teknologjik në lidhje me rritjen e përshpejtuar ekonomike. Buxheti i përgjithshëm për këtë Konkurs është 5 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi i mbështetjes është që ndërmarrjet të krijojnë kushte për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike, të arrijnë rritje të përshpejtuar, të rrisin konkurrencën në tregjet ndërkombëtare dhe rezistencën ndaj krizave pandemike dhe klimatike, përmes prezantimit të teknologjive të reja, inovative, të avancuara, “gjelbra” dhe digjitale për transformimin e tyre”, njoftoi Fondi.

Fondi theksoi që kjo mbështetje është për ndërmarrjet dhe institucionet shëndetësore private.

“Afati i fundit për aplikim në thirrjen publike është deri në 29.02.2024, në orën 14:00”, theksohet në Konkurs, duke shtuar që aplikacioni i projektit, buxheti i projektit dhe biografitë duhet të plotësohen në formë elektronike në gjuhën maqedonase dhe angleze.

Shuma maksimale e mbështetjes për ndërmarrjet e vogla do të jetë deri 2.5 milionë denarë, për ndërmarrjet e mesme 5 milionë denarë, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha deri 10 milionë denarë. Shuma tjetër e projektit, 30 % për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe 40 % për ndërmarrjet e mëdha, duhet të mbulohet nga ndërmarrjet private.