Talat Xhaferi i zuri “të papërgatitur” SPB Tetovë: Në vend të punës s’pihet kafe (Video)

Pritje të gjata, tollovi dhe shumë qytetarë të cilët prisnin radhë për të bërë ndryshimin e dokumenteve personale në Sektorin e Punëve të Brendshme të Tetovës. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka mungesë të organizimit, këtë e konfirmoi kryeministri teknik, Talat Xhaferi i cili vizitoi pa paralajmërim sot këtë institucion. Pati edhe tensione midis tij dhe të punësuarve, Xhaferi tha se do kërkojë përgjegjësi nga ministri i Brendshëm dhe zëvendësi i tij, shkruan Portalb.mk.

Duke parë ecurinë e ecjes së punëve në lidhje me ndryshimin e dokumenteve, Xhaferi theksoi se ka mungesë të organizimit për kryerjen e detyrave në nivel ditor dhe institucioni përkatës në aspekt organizativ duhet të bëjë përpjekje që pranimi i dokumenteve të jetë në një formë, ndërsa dhënia e dokumenteve të gatshme në formë tjetër dhe njerëzit që presin të jenë të informuar.

“Me qytetarët duhet të komunikohet, për shembull rijnë pleq aty thotë për çdo ditë vijmë të shohim a janë gati dokumentet, pse të vijnë çdo ditë, momentin që pranohen dokumentet me marrë numër kontakti, nuk duhet të jetë pengesë me i bë një telefonatë hajde se i keni gati”, tha Xhaferi.

Ai theksoi se do kërkojë përgjegjësi nga ministri i Brendshëm dhe zëvendësi për këtë kaos. Ndërsa theksoi se mos të habiten institucionet tjera se do t’i inspektojë.

Xhaferi madje vizitoi edhe disa nga zyrat në SPB Tetovë ku hasi në parregullsi. Portalb.mk kapi një moment tensioni midis Xhaferit dhe të punësuarve në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, të njëjtin mund ta shihni në videon më poshtë.

Këto ishin pamjet e pritjeve nga qytetarët sot në SPB Tetovë.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.