Policia me detaje: Gjatë aksionit policor në Tetovë, janë arrestuar dy persona nën dyshimin për prostitucion

Më 21.09.2026 në ora 20:00 në rrugën „Ilinden“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin M.C.(27) nga Tetova dhe 31-vjeçaren K.Z. nga fshati Bogovinë, me vendbanim në Tetovë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për veprën e kryer penale „ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit“ sipas nenit 191 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Personat janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa po atë mbrëmje, në bazë të urdhëresës nga Gjykata Themelore e Tetovës, është kryer bastisje në shtëpinë dhe hapësirat ndihmëse të K.Z. në Tetovë”, thonë nga MPB.

 Me këtë rast, nga ajo janë konfiskuar një fishek dhe sende të tjera për të cilat ekziston dyshimi se rrjedhin nga vepra penale. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojnë parashtresat përkatëse.

Gjatë tentimit për t’u futur në banesë, policia has në derë të mbyllur, me çka është detyruar që ta hapë derën me dhunë. Pas hapjes së derës, brenda banesës janë arrestuar edhe tre të rinj, të cilët dyshohet të kenë qenë klientë.

Gjatë tentimit për ta vënë nën pranga, e reja ka dalë në ballkon dhe ka kërcënuar efektivët e policisë me vetëvrasje, duke u hedhur nga ballkoni, por reagimi i shpejtë i efektivëve ka bërë që të pengohet tentimi për vetëvrasje, gjegjësisht kërcimi nga ballkoni.

Aksioni i policisë në ndërtesën në rrugën e Ilindenit vazhdoi me bastisje, nën dyshimin për prostitucion edhe në disa banesa të tjera të këtij pallati. Më tepër informacione do të raportohen sot gjatë ditës nga SPB Tetovë.