Qytetarët me pasaporta të vjetra në dilemë për të ardhur në RMV, ja cila është procedura

Ndryshimi i emrit të vendit ka sjellë shume peripeci për qytetarët brenda dhe jashtë vendit. Qytetarët e kanë të paqartë se si mund të kthehen në vend nëse nuk kanë një pasaportë të re. Portab.mk, në këtë shkrim iu sjellë informacione për procedurën e ardhjes në vend. Përveç se duhet të ndryshojnë pasaportat, qytetarët e Maqedonisë në diasporë, për të ardhur në vend, iu duhet edhe fleta udhëtimi, të cilat jepen në Ambasadat e Maqedonisë jashtë vendit e të cilat fillimisht u tha se do të kushtojnë 30 euro, ndërsa më pas Qeveria vendosi që të jenë falas. Kjo është procedurë që duhet ndjekur derisa lëshon vendin përkatës, ndërsa kur mbërrin në Maqedoninë e Veriut, kjo letër nuk është e nevojshme, pasi Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se qytetarët nga diaspora mund të vijnë në vend edhe me pasaporta të vjetra, por nuk mund të kthehen pa nxjerrë pasaportë të re, shkruan Portalb.mk.

Kjo fletë udhëtimi vlen vetëm 30 ditë dhe mund të përdoret vetëm një herë, për ardhje në Maqedoninë e Veriut.

Nuk dihet nëse Ministria e Jashtme është përpjekur apo nëse ka mundur të gjejë zgjidhje që këto qytetarë të kthehen pa fleta udhëtimi, duke tejkaluar kështu një barrë më tepër për qytetarët, siç pati marrëveshje me vendet nga Ballkani për përdorimin e letërnjoftimeve.

Në pyetjen e Portalb, MPB-ja, njoftoi se qytetarët me dy shtetësi pa pengesë mund të vijnë në vend, pa marrë parasysh dokumentin e udhëtimit.

“Qytetarët me shtetësi të dyfishtë do të mund të përdorin pa problem dokumentet e udhëtimit nga shteti tjetër. Gjithashtu theksojmë se çdo shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut që vjen në pikën kufitare për të hyrë në vendin tonë, do të pranohet pa marrë parasysh dokumentin e udhëtimit me të cilin vijnë”, thonë nga MPB

Ndërkohë, heshtje nga Ministria e Punëve të Jashtme, në pyetjen e Portalb.mk, për harxhimet e përgjithshme të qytetarëve të disaporës kur fillimisht u njoftua se fletat e udhëtimit do të kushtojnë 30 euro.

Përfaqësitë diplomatike të pakapshme

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në diasporë, të cilët deri më 12 shkurt nuk kanë nxjerrë pasaportë me emrin e ri kushtetues të shtetit, do të mund të nxjerrin fletë udhëtimi me të cilin do të mund të hyjnë në  Maqedoni dhe ta nxjerrin një pasaportë e vlefshme këtu. Të ashtuquajtura fletat e udhëtimit do të lëshohet në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore të vendit jashtë vendit. Vlefshmëria e dokumentit të udhëtimit do të jetë 30 ditë nga dita e lëshimit.

Sipas njoftimeve në faqet zyrtare në Facebook të disa prej ambasadave të Maqedonisë në vendet evropiane, dokumenti i udhëtimit do të jetë i destinuar vetëm për udhëtim në një drejtim – nga shteti i huaj në Maqedoninë e Veriut. Kjo do të thotë se qytetarët me këtë dokument do të mund të udhëtojnë vetëm në Maqedoninë e Veriut, ku më pas do të aplikojnë për pasaportë me emrin e ri kushtetues.

Thirrje të humbura nga qytetarë të diasporës që kanë tentuar të lidhen me Përfaqësinë Diplomatike Konsullor e në Bonn të Gjermanisë
Thirrje të humbura nga qytetarë të diasporës që kanë tentuar të lidhen me Përfaqësinë Diplomatike Konsullor e në Bonn të Gjermanisë

Sipas paralajmërimeve, në disa prej ambasadave maqedonase, si ato në Gjermani, fletat e udhëtimit do të mund të merren pa termin, ndërsa për shembull, në ambasadat maqedonase në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Holandë, qytetarët do të duhet të caktojnë termin për lëshimin e  dokumentit të udhëtimit përmes postës elektronike të Ambasadës.

Thirrje të humbura nga qytetarë të diasporës që kanë tentuar të lidhen me Përfaqësinë Diplomatike Konsullor e në Bonn të Gjermanisë
Thirrje të humbura nga qytetarë të diasporës që kanë tentuar të lidhen me Përfaqësinë Diplomatike Konsullor e në Bonn të Gjermanisë

Megjithatë, ambasadat jashtë vendit, janë të pakapshme. Një qytetare nga Gjermania, ka dërguar në redaksinë tonë foto printscreen, me telefonata pa përgjigje nga Përfaqësia Diplomatike Konsullore (PDK), në Bonn të Gjermanisë.

Edhe pse, telefonatat kanë qenë të vazhdueshme dhe të çdo ditëshme për të rënë në kontakt, nga ana tjetër e telefonit nuk ka pasur asnjëherë përgjigje.

Nga ana tjetër, përsa i përket termineve për nxjerrjen e një pasaporte të re, terminet e para janë në muajin gusht.

“Për fotografim dhe marrjen e të dhënave biometrike për pasaportë të re në Ambasadën në Bon, nevojitet të parashtroni kërkesë për pasaportë të re, që të mund të zini TERMIN. Ju informojmë se momentalisht, termine të lira ka në fillim të gushtit 2024. Nëse ju përshtatet koha e pritjes, ju lutemi të na shkruani përsëri të dhënat tuaja që të mund të caktojmë një termin të përshtatshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Bonnit.

Përveç bindjes së autoriteteve se funksionon caktimi falas telefonik dhe elektronik për fillimin e procedurës së nxjerrjes së dokumenteve – ata janë jashtë funksionit”, reaguan për këtë situatë nga Komiteti i Helsinkit.

Ndërkohë me 16 shkurt, ministri i Jashtëm Bujar Osmani, së bashku me kryeministrin Talat Xhaferikanë vizituar konsullatat në Bruksel dhe Mynih

“Vizituam punktin per dhenie të pasaportave dhe patëm mundësi të takojmë dhe të bisedojmë me qytetarë tanë që jetojnë në Belgjikë.

Bashkë me Kryeministrin Talat Xhaferin, sot në Mynih, vizitë në stacionin bazë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku bëhet fotografimi dhe marrja e të dhënave biometrike për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit për shtetasit tanë“, njoftoi Osmani në Facebook.

Qytetarët në dilemë

Kjo situatë i ka vënë në dilemë shumë qytetarë nga diaspora, të cilët nuk dinë se si të veprojnë. Nëpër grupe të ndryshme të hapura për mërgimtarët në Facebook, ka vazhdimisht pyetje mbi atë se a mund të vijnë në vend me pasaportën e vjetër. Përgjigjet e shumë prej komentuesve janë se duhet marrë fletë udhëtimi nga ambasadat.

Kjo situatë e krijuar ka shkelur një prej të drejtave themelore të njeriut, lëvizjen e lirë dhe pa pengesa të qytetarëve.

Organizatat qytetare në vend, thonë se shkelja e të drejtës së lëvizjes së lirë të shkaktuar nga kaosi në pajisjen me dokumente të reja të udhëtimit, të cilat nuk mund t’u përgjigjen qytetarëve, u jep atyre një bazë shumë solide për të paditur shtetin për shkeljen e të drejtave të tyre dhe për t’i fituar ato procedurat në dobi të tyre.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, tani qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.