Takimi Grkovska-Kupman: Plani i rritjes do të përshpejtojë proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, sot ka takuar Gert Jan Koopman, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim (DG NEAR) të Komisionit Evropian. Fokusi i bisedës mes Grkovskës dhe Koopman ishte Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor, në të cilin një nga shtyllat është përshpejtimi i proceseve reformuese, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e efikasitetit të gjyqësorit dhe administratës publike, transmeton Portab.mk

Zëvendëskryeministrja theksoi rëndësinë e Planit të Rritjes, si mekanizëm i fuqishëm për kalimin e periudhës deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Union.

Në takim u diskutua edhe për nevojën, paralelisht me zbatimin e masave të parashikuara në plan, për të forcuar aktivitetet për informimin e qytetarëve për rëndësinë e procesit të integrimit evropian, si dhe për mbështetjen që vendi ynë merr në vazhdimësi nga BE-ja.

Zëvendëskryeministrja Grkovska, duke iu referuar aktiviteteve të udhëhequra nga Kabineti për politika të qeverisjes së mirë në periudhën e kaluar, informoi për Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, i cili është miratuar në Kuvend javën e kaluar dhe i cili duhet të shërbejë si një mekanizëm shtesë për kundërvënie kundër korrupsionit në legjislacionin e brendshëm. Duke iu përgjigjur pyetjes së Koopman-it, nëse institucionet kompetente kanë staf të mjaftueshëm për zbatimin e ligjit, Grkovska theksoi se vetë zgjidhja ligjore parasheh forcimin e kapaciteteve dhe krijimin e një departamenti të posaçëm në Policinë Financiare, të specializuar për këtë ligj, dhe shtoi se ajo do të insistojë në ribalancimin e buxhetit për rritjen e mjeteve të destinuara për Policinë Financiare, Prokurorinë Publike dhe Prokurorinë e Shtetit.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për aktivitetet që kanë të bëjnë me transformimin digjital të shoqërisë, si proces përmes të cilit forcohet vendosja e politikave për qeverisje të mirë në të gjitha nivelet.

Takimi me Koopman është në kuadër të vizitës së punës së zëvendëskryeministres Grkovska në Bruksel, e cila sot pasdite do të marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë kushtuar grave në jetën publike, të organizuar nga nënkryetarja e Komisionit Evropian, Vera Jourova.

Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian.

Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.

Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.

Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.