Mbi 70 organizata reagojnë ndaj Zuckerberg-ut kundër censurës së Facebook-ut për termin “Sionist”

Rrjeti social “Meta” i njohur dhe si “Facebook” ka në plan të ndryshojë politikën e gjuhës së urrejtjes në lidhje me termin “Sionist” apo “Cionist” për shkak të sic thonë, shqetësimit se ai po barazohet me popullin hebre apo izraelit, shkruan The Guardian, transmeton Portalb.mk. Një koalicion prej 73 organizatash ndërkombëtare kanë reaguar për këtë akt, duke i dërguar një letër krijuesit të Meta-s, Mark Zuckerberg dhe Meta-s duke e shprehur shqetësimin për politikën e gjuhës së urrejtjes së kompanisë në lidhje me termin “sionist” dhe kufizimet e tij në debatin legjitim politik.

Deri më tani politika e gjuhës së urrejtjes së Meta-s, lejon që termi “Sionist” të përdoret në “diskursin politik, por fshihet kur përdoret në mënyrë eksplicite për ti emërtuar hebrenjtë ose izraelitët në mënyrë çnjerëzore ose të dhunshme”. Politika e Meta-s për gjuhën e urrejtjes e trajton fenë dhe përkatësinë etnike si një karakteristikë të mbrojtur, në krahasim me ideologjitë politike.

Edhe rrjeti rajonal kundër gjuhës së urrejtjes “Reporting Media Diversity (RDN)“ i mbështet këto organizata në kërkesën e tyre që Meta të mos ndërhyjë në fjalën e lirë dhe mos të lejojë censurimin e kritikave legjitime ndaj Sionizmit në platformën e saj.

Sionizmi është një lëvizje nacionaliste politike që u shfaq në shekullin e 19-të për të përkrahur mbështetjen për krijimin e një atdheu për popullin jahudi në Palestinë një rajon që përafërsisht korrespondon me “Tokën e Izraelit në traditën hebraike”. Pas krijimit të Izraelit, sionizmi u bë një ideologji që mbështet “zhvillimin dhe mbrojtjen e Shtetit të Izraelit”.

“Përderisa lufta në Gaza po vazhdon dhe urrejtja antiarabe dhe antisemitike është në rritje globale, është thelbësore të kuptohet se Sionizmi është një ideologji politike dhe se jo të gjithë njerëzit hebrenj dhe izraelitë e mbështesin atë.

Është tepër e dëmshme ta barazosh këtë ideologji me një grup të tërë etnik dhe fetar. Të kritikosh Sionizmin dhe aktet e shtetit të Izraelit nuk është në thelb akt antisemitik, dhe trajtimi i tij si i tillë është i pasaktë, i dëmshëm dhe potencialisht i rrezikshëm në këtë klimë politike globale.

Ndalimi i plotë i këtij termi mund të dëmtojë të drejtën e shprehjes së lirë dhe të drejtën e përdoruesve për të folur kundër shkeljeve sistematike të të drejtave palestineze nga qeveria izraelite.

Numri i të vdekurve në Gaza ka tejkaluar 30 mijë palestinezë, dy të tretat e tyre gra dhe fëmijë, dhe shumë organizata të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar për rrezikun e gjenocidit. Kjo është veçanërisht shqetësuese pasi Meta dhe algoritmet e tij janë kritikuar në të kaluarën për censurim të padrejtë të zërave që mbrojnë të drejtat e njeriut palestinez.” thuhet në letrën e shoqatave drejtuar Mark Zuckerberg-ut dhe Meta-s.