Gërkovska: Siguria kibernetike bart të njëjtat sfida për të gjitha vendet, bashkëpunimi i patjetërsueshëm

Asnjë vend nuk mund të përballet me sfidat e sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë kibernetike në mënyrë të pavarur dhe të izoluar, pavarësisht se sa i zhvilluar është apo jo një vend. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë Sllavica Gërkovska në fjalimin e saj në Konferencën Globale për Ndërtimin e Kapaciteteve Kibernetike “Cyber ​​Resilience for Development” që po mbahet në Ganë, transmeton Portalb.mk.

“Të gjithë përballemi me të njëjtat rreziqe, sfida të njëjta, prandaj është e nevojshme një qasje e koordinuar dhe e përbashkët”, tha zëvendëskryeministrja Gërkovska.

Duke theksuar rëndësinë e ngjarjeve që kontribuojnë në formësimin e së ardhmes në nivel botëror, zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që politikat kibernetike të jenë pjesë integrale e përpjekjeve kolektive për zvogëlimin e dallimeve në zhvillimin socio-ekonomik dhe realizimin e qëllimeve të zhvillimit global.

“Nga njëra anë, digjitalizimi ndihmon për të përshpejtuar zhvillimin dhe për të bërë hapa më domethënës drejt përmirësimit të shërbimeve dhe standardeve për qytetarët në vendet më pak të zhvilluara. Por nga ana tjetër, regresioni apo ngecja në këtë fushë bëhet faktor shtesë komplikues dhe minues për të gjitha politikat tjera zhvillimore”, tha Gërkovska në fjalimin e saj në seancën plenare.

Ajo shtoi se për një proces të suksesshëm të transformimit digjital të shoqërisë, por edhe të një shoqërie kibernetike të sigurt dhe elastike, çelësi është ndërtimi i një konsensusi të gjerë, jo vetëm politik, por edhe social mbi nevojën për investime në kapacitetet dhe infrastrukturën e duhur teknike, si dhe ndërtimi i kapitalit njerëzor ekspertë me njohuri dhe kualifikime për të përmirësuar aftësitë e përgjithshme digjitale.

Në hapjen e konferencës globale, pjesëmarrësit miratuan së bashku Thirrjen e Accra për Zhvillimin e Rezistencës Kibernetike, e cila bën thirrje për partneritet dhe koordinim më të fortë dhe ofron një kornizë për veprim global.

Zëvendëskryeministrja gjatë ditës së sotme do të jetë folëse në dy panele që do t’i kushtohen proceseve të forcimit të kapaciteteve të sigurisë kibernetike, si dhe hendekut gjinor dhe strategjive jokonvencionale për përfshirjen e grave në këtë sektor.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ishte cak i kërcënimeve të rreme me bomba, por jo vetëm kaq. Nga fundi i vitit 2022 e në vazhdim, sulmet kibernetike kanë ndodhur në faqet e institucioneve shtetërore si Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Qeveri, Ministritë e Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, nga ku janë vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe në disa raste për ta sulmuesit kërkuan shpërblim në kriptovaluta.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare.  Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.

Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.

Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.