Takati i vogël – prapambetja jonë

Në një bisedë të kahmotshme me Xhabir Ahmetin, trajtuam rolin e lidershipit për zgjidhjen e statusit tonë mjeran në shtetin, i cili vetëm shtet nuk e ka ndërmend të bëhet. Ndër argumentet e ofruara prej mikun tim erudit më ka mbetur në kujtesë konstatimi se, përtej të gjitha të metave që kanë manifestuar partitë poilitike shqiptare dhe prijësit e tyre, një pjesë të fajit për pozitën tonë në këtë vend e ka takati ynë i vogël.

Që atëherë nisa t’i kundroj gjërat nëpërmjet prizmit të takatit brenda të cilit gjendet mungesa e kulturës sonë politike, kompleksi i inferioritetit ndaj më të fortit, shpirti kronik i robit, sindromi i levantinëve të Konicës, filozofia e fatalizmit dhe perceptimi i vonshëm i havasë, mungesa e guximit qytetar për të gjykuar në çastin e duhur fenomenet e kushtueshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë, entuziazmi dhe euforia me të cilët i manifestojmë pakënaqësitë dhe rrënia e mëpastajme në gjum të gjatë, që domosdo lidhen me suksesin dhe mossuksesin e prijësve tanë politikë. Jo rastësisht, nga viti 1990 e këndej, të gjithë liderët e partive politike i kemi sjellur në pushtet si heronj dhe i kemi përcjellur si tradhëtarë, duke e amnistuar në vazhdimësi takatin tonë kolektiv, veçmas kontributin inekzistent të intelegjencies, e cila, në vend të parashikimit të gjërave në krye të vijës, reagon me vonesa të pafalshme dhe, më së shpeshti, atëherë kur sosen benefitet e gëzuara gjatë epokës së ngritjes së kulteve të personalitetit.

Pikërisht takatin në fjalë m’u desh ta marr parasyshë gjatë formulimit të përgjigjes së pyetjes së shtruar prej një gazetari të ri e të talentuar, e cila lidhet jo me vlerësimin e së tashmes po me atë që do t’ua bëjë historia liderëve të gjertanishëm shqiptarë. Kjo është arsyeja përse përgjigja është jashtë skemave të palëve që liderët e kohës sonë i konceptojnë si heronj apo i pandehin si tradhëtarë, sepse na kërkohet të flasim me parametrat e së ardhmes, kur emocionet dhe frika nga të papriturat e kohëve të shkuara, mund të duken ndryshe. Përveç kësaj, mënyra si do ta gjykojë historia një politikë dhe një politikan nuk mund të shkëputet nga rrethanat e përgjithshme të kohë-hapësirës konkrete, madje as nga bëmat e pushtetarëve pasardhës, sepse është objekti i krahasimit ai që përcakton rezultatet e punës së gjithsecilit.

Kështu: nëse pushtetarët e ardhshëm ia dalin ta bashkojnë faktorin shqiptar; nëse arrijnë ta ndryshojnë me gishta kuvendarësh kushtetutën dhe ligjet diskriminuese që dalin prej saj; nëse i realizojnë premtimet e dhëna zgjedhësve brenda pushtetit të fituar prej partive maqedonase, në të cilin shqiptarët futen si punë aneksi, pa mundësinë e vendimmarrjeve autonome; nëse e trasojnë përnjëmend udhën ndryshe dhe hapin perspektiva për rininë dhe të ardhmen e tyre; nëse arrijnë ta konvertojnë pushtetin fiktiv në pushtet faktik; nëse për të drejtat legjitime të shqiptarëve nuk do të vendosin të tjerët; nëse nuk i keqpërdorin fetë për thellimin e ndasive ndërvëllazërore dhe zbehjen e tipareve identitare; nëse nuk vijnë në pushtet me donacione fijengatërruara për të realizuar planet e hallkut do të duhet të kërkojmë mënyra të tjera për dalje nga llagëmi i përsëritjes që përsëtritet përsëri…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.