Mercedes-Benz në krizë në Gjermani, në rrezik mijëra vende pune nga mbyllja e fabrikave

Mercedes-Benz po shqyrton mundësinë e mbylljes së dy fabrikave në Gjermani, në kuadër të një plani për uljen e kostove dhe rritjen e produktivitetit. Vendimi vjen në një kohë kur industria gjermane e automobilave po përballet me vështirësi për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe rënies së fitimeve, transmeton Euronews.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, krahas mundësisë së mbylljes së fabrikave, drejtuesit e kompanisë kanë propozuar rritjen e orarit javor të punës nga 35 në 40 orë, pa shtesë page. Menaxhmenti argumenton se kjo masë do të rriste produktivitetin dhe do të ndihmonte në përmirësimin e konkurrueshmërisë.

Propozimi ka shkaktuar reagime të forta nga punonjësit dhe sindikata IG Metall, për të cilën java 35-orëshe është një nga arritjet më të rëndësishme të të drejtave të punëtorëve. Sindikata e konsideron këtë kërkesë të papranueshme. Ndërkohë, kompania ka vendosur të ngrijë investimet në fabrikat gjermane, ndërsa paralajmërimi për mbylljen e dy njësive industriale shton pasigurinë për të ardhmen e punësimit në sektorin automobilistik të vendit.