Sylvinho publikoi listën e Shqipërisë për ndeshjen me Çekinë

Armando Broja është i vetmi ndryshim në listën e Kombëtares për ndeshjen e 12 Tetorit me Çekinë në Tiranë, raporton Klan. Sulmuesi i Chelsea kthehet pas 1 viti për shkak të një lëndimi të rëndë. Ai do të jetë një armë plus për të shënuar gol. Sylvinho ka dashur të ruajë grupin e futbollistëve që ishin pjesë e ndeshjeve të shtatorit duke i besuar në këtë sfidë të rëndësishme ndaj një rivali direkt për Euro 2024, por edhe për miqësoren e 17 Tetorit me Bullgarinë po në shtëpi.

Aty mungon vetëm Odise Roshi, i cili qëndroi në stol në sfidën me Poloninë. Trajneri pritet të sqarojë zgjedhjet e tij në konferencën që do të mbajë të shtunën në Tiranë, ndërsa zyrtarisht grumbullimi do të nisë të hënën.

Shqipëria kryeson grupin me 2 pikë më shumë se Çekia, që ka 1 ndeshje më pak se skuadrat e tjera.

Pritshmëritë për një rezultat pozitiv shtohen pas barazimit historik 1 – 1 në Pragë në ndeshjen e muajit të kaluar, ndërsa kuqezinjtë do të mbështeten nga një stadium i mbushur i tëri, pasi të gjitha biletat u shitën në kohë rekord.

Për ata që nuk do të jenë në Air Albania, Tv Klan do ta transmetojë direkt sfidën e shoqëruar me komente nga specialistë të futbollit dhe intervistat e protagonistëve në fund.