Pas 8 muajsh punime ende nuk ka përfunduar rikonstruimi i bulevardit së shëtitores në Strugë

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 8 muaj, në Strugë vazhdon saga e punimeve për të finalizuar rikonstruimin e shëtitores kryesore të qytetit buzë Drinit të Zi. Shëtitorja në fjalë paraqet zemrën e qytetit dhe është atraksioni kryesor turistik, që nga fillimi deri në fund kjo pjesë e shëtitores graviton me lokale gastronomike nga më të ndryshmet. Qytetarët struganë janë të revoltuar me ritmin e ngadaltë të punës në zemër të qytetit por dhe me ndryshimet e parapara me projektin e ri të bulevardit, shkruan Portalb.mk.

Assesi të përfundojnë punimet në boshtin kryesor këmbësor në qytetin e Strugës. Bëhet fjalë për pjesën kryesore të shëtitores buzë Drinit të Zi, e cila me vite të tëra ishte në gjendje të mjerueshme një fenomen sa shqetësues për vet banorët lokal që ju pengonte lëvizjen e lirë aq dhe një imazh i keq për turistët që kalonin pushimet në këtë qytet turistik. Punimet për renovimin e shëtitores filluan më 8 maj të vitit 2022 dhe sipas kontratës së lidhur mes Komunës së Strugës dhe kompanisë së kontraktuar punimet duhej të përfundonin brenda 75 ditësh. Kontrata në fjalë për opinionin u bë publike në rrjetet sociale nga kryetari i degës së ASH-Strugë, Lulzim Nasufi, cili akuzoi se bëhet fjalë për një kontratë të lidhur me procedura të thjeshtësuara tenderimi dhe pa transparencë. Sipas Kontratës projekti do të kap koston e 370 mijë eurove, pra vetëm për punimet në shëtitoren në anën e djathtë të Drinit.

Zvarritja e punimeve në shëtitoren e preferuar të struganëve po humb gjithnjë e më shumë interesin e turistëve ndërsa pronaret e bizneseve shprehen gjithmonë e më të revoltuar për shkak se ka rënë qarkullimi i punës në këtë pjesë. Nga ana, tjetër disa qytetarë shprehen të revoltuar me ndryshimet në projektin e ri të shëtitores ku është paraparë që një pjesë e shëtitores të kthehet në rrugë të asfaltuar.

“Një pjesë e kësaj shëtitoreje do të ketë regjim të caktuar nga aspekti i orës, gjegjësisht furnizimit të bizneseve me mall, në mëngjes, kurse gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje ajo pjesë do të dedikohet për të gjithë këmbësorët. Pra, nuk do të ketë ndërtim të rrugës për qarkullim të automjeteve siç ka qenë më parë, nuk do të preket asnjë nga bizneset e vendosura në bulevard dhe tarracat përballë tyre do të mbeten ashtu siç janë, por të rregulluara me gurin e ri që do të shktrohet. Pjesa e shëtitores që do të rregullohet për furnizim me mall do të jetë e kontrolluar për hyrje-dalje përmes barrierës elektronike, nga ana e lumit Drini i Zi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Strugës.

Edhe përkundër të njoftimit zyrtar qytetarët struganë i brengos mungesa e kontrollit në hapësirat publike dhe menaxhimi jo mirë.

“Punimet mirë që filluan se ishte shumë e nevojshme por s’dihet se kur do përfundojnë se. Mua si prind më shqetëson fakti se një pjesë e shëtitores do kthehet në rrugë. Edhe pse ka orar të kufizuar qarkullimi i automjeteve nuk e besoj aspak se do të respektohet. Ne të gjithë jemi dëshmitarë se sa ngrohet koha shëtitorja vlon nga qarkullimi i motoçikletave me kubikazh të madh. Përderisa ata lëvizin pa asnjë problem në një hapësirë të paraparë vetëm për këmbësorë, imagjinoni vetë kaosin që do të bëhet në pjesën e asfaltuar si rrugë”, u shpreh një qytetarë.

“Punimet filluan me shumë hov dhe për një moment ngecën. E kaluam gjithë verën kështu, po kalon edhe dimri dhe akoma asgjë. Më vjen keq që mërgimtarët gjatë pushimeve përsëri duhet të përballen me këtë pamje. Sido që të jetë mjafton që të bëhet mirë, diçka që është nisur patjetër se do të përfundojë”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Si nënë që pjesën më të madhe bredh me karrocë u gëzova shumë kur filluan punimet për shkak se bulvardi ishte vërtet mjerim. Gjithsesi, me projektin e ri nuk na kanë menduar mirë ne nënave, për shkak të rrugës shëtitorja është ngushtuar shumë dhe në disa pjesë është vështirë të kalosh me karrocë për shkak te terrasave të lokaleve dhe pjesës që ngushtohet nga gardhet e gjelbërimit”, tha një qytetare.

 

Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blertë
Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blertë

 

Gjatë garës për të parin e Komunës, rekonstruimi i shëtitores buzë Drinit ishte një nga premtimet elektorale e kryetarit aktual të Komunës së Strugës Ramis Merko. Në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, mes tjerash thuhet se gjatë mandatit 2021-2025 do të rekonstruohen shëtitoret rreth Drinit të Zi, më konkretisht pjesët e shëtitores nga ura e “korzos” deri tek ura në rrugën “Partizanska”. Sidoqoftë, aktulaisht po punohet vetëm njëra anë e Drinit, sa i përket anës tjetër as nuk ka filluar ndonjë aksion e as nuk është njoftuar për ndonjë projekt të mundshëm.

Burimet:

Llogaria zyrtare e Komunës së Strugës në Facebook – Fillimi i punimeve për rregullimin e bulevardit të Drinit të Zi, ana e djathtë e rrjedhës

Programi zgjedhor Agjenda e Blertë – Verifikuar më 18.12.2023