Në Kërçovë dhe Strumicë hyjnë në fuqi rekomandimet për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit

Në Kërçovë dhe Strumicë po hyjnë në fuqi masat dhe rekomandimet për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit, përkatësisht për shkak të koncentrimit të shtuar të grimcave PM 10 gjatë dy ditëve radhazi, njoftojnë sot nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), transmeton Portalb.mk.

Në të dyja qytetet, siç njofton Ministria, në datat 19 dhe 20 dhjetor janë matur mbi 150 mikrogramë për metër kub grimca PM 10, duke kaluar kështu pragun e alarmit. Stacionet matëse në Kërçovë dhe Strumicë dje kanë matur 179 dhe 206 mikrogramë për metër kub grimca PM 10, ndërsa të martën përqendrimi i tyre ka qenë 152 dhe 185 mikrogramë për metër kub.

Për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit, rekomandohet që punëdhënësit të ndalin nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt ose goditje të mëparshme të miokardit, pavarësisht moshës, me rekomandimin e mjekut të familjes. Gjithashtu rekomandohet riorganizimi i orarit të punës dhe personat që punojnë jashtë duhet të punojnë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Pjesë e rekomandimeve është që të mos organizohen aktivitete sportive dhe të tjera në natyrë dhe të sigurohen kushte për rritjen e aktiviteteve të shërbimeve emergjente mjekësore, vizitave në shtëpi dhe shërbimeve patronazhore.

Në pjesën e masave theksohet se Qeveria duhet të detyrojë të gjitha organet e administratës shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore të reduktojnë (deri në 50 për qind) përdorimin e automjeteve zyrtare, si dhe të sigurojnë kufizimin e punimeve të ndërtimit.