RMV, për të katërtën ditë me radhë po thithim smog, shiu nuk e ka pastruar ajrin

Nivelet e larta të ndotjes së ajrit vazhdojnë në të gjithë vendin. Pavarësisht shiut, cilësia e ajrit që thithim mëngjesin e sotëm është gjithashtu në nivel të pakënaqshëm. Në Strumicë dhe Kërçovë janë ende në fuqi rekomandimet dhe masat kundër ndotjes së ajrit për shkak të tejkalimit të pragut të alarmit për shkak të pranisë së grimcave PM-10 në ajër prej mbi 150 mikrogramë për metër kub, ndërsa në qytetet tjera ka rekomandime për qytetarët për shkak të përqendrimeve të këtyre substancave ndotëse mbi 100 mikrogramë për metër kub, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Përqendrimi më i lartë i grimcave PM-10 në ajër mëngjesin e sotëm në orën 20:00 është matur në Prilep, përkatësisht 131,3 mikrogramë për metër kub. Menjëherë pason Shkupi, ku koncentrimet më të larta të këtyre grimcave ndotëse janë matur mëngjesin e sotëm në stacionin matës Qendër – 107,6 mikrogramë për metër kub, ose dyfishi i kufirit maksimal të lejuar. Grimcat PM-10 në ajër janë matur sot në mëngjes në Lisicë 91,9 mg/m3, ndërsa në Karposh 97,7 mg/m3, sipas të dhënave të Sistemit Shtetëror të monitorimit automatik të cilësisë së ajrit të ambientit të Ministrisë së Mjedisit.

Grimcat PM-10 paraqesin rrezik për trupin e njeriut, sepse janë grimca me diametër më të vogël se 10 mikrometra, të cilat hyjnë në pjesën e sipërme të sistemit të frymëmarrjes.

Ndotja e djeshme e ajrit në Shkup me grimcat PM-10 ishte shqetësuese në stacionin matës në Lisiçe, ku më 21 dhjetor mesatarja e përqendrimit ditor të PM-10 ishte 211,8 mikrogramë për metër kub, ndërsa një ditë më parë prezenca e këtyre grimcave ndotëse ishin 233.2 mikrogramë për metër kub. Për kujtesë, përqendrimi mesatar ditor i lejueshëm i grimcave PM-10 në ajër është 50 mikrogramë për metër kub.

Ajo që shqetëson më shumë cilësinë e ajrit janë përqendrimet e grimcave edhe më të vogla PM-2.5, diametri aerodinamik i të cilave më pak se 2.5 mikrometra i lejon ato të depërtojnë edhe në bronkiolat dhe alveolat në mushkëri.

Mëngjesin e sotëm në ora 8 në stacionin matës në Gjorçe Petrov janë matur koncentrimet e grimcave PM 2.5 prej 71.2 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Lisiçe prania e këtyre grimcave ndotëse ka qenë 66.8 mikrogramë për metër kub. Koncentrime të larta mbi kufijtë e lejuar mëngjesin e sotëm janë regjistruar edhe në stacionet matëse në Strumicë, Manastir, Kavadar, Kërçovë, Tetovë dhe Veles. Duhet theksuar se vlerat maksimale të lejuara mesatare ditore të PM-2.5 duhet të jenë deri në 25 mikrogramë për metër kub.

Ajo që është më shqetësuese për cilësinë e ajrit është se niveli i lartë i ndotjes po përsëritet për të katërtën ditë radhazi, pra qytetarët janë ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj përqendrimeve të larta të grimcave ndotëse që tejkalojnë kufijtë e lejuar për disa herë. .

Sot, ndotja e ajrit është bërë temë debati mes partive kryesore politike në vend. VMRO-DPMNE dhe LSDM reciprokisht bartin përgjegjësinë se kush duhet të marrë masa për zgjidhjen e këtij problemi urgjent.

Nga VMRO-DPMNE thonë se qeveria në shtatë vitet e fundit nuk ka ndërmarrë asgjë për ta zgjidhur problemin e ndotjes së ajrit. Ata shtuan se ndotja e ajrit duhet të pastrohet me përpjekje të përbashkëta të pushtetit qendror dhe atij lokal.

LSDM-ja sot sërish akuzoi VMRO-DPMNE-në se kryetarët e tyre në Shkup nuk po marrin asgjë kundër ndotjes së ajrit.

Rikujtojmë që ndotja e ajrit me vite të tëra mbetet problem i pa zgjidhur për vendin.