Bojan Marçiq, zëvendëskryeministër i parë në qeverinë e Talat Xhaferit

Bojan Mariçiq do të jetë zëvendëskryeministri i parë në qeverinë teknike të drejtuar nga Talat Xhaferi. Kjo, sipas një burimi nga koalicioni qeverisës, është pjesë e marrëveshjes politike mes LSDM-së dhe BDI-së në pritje të formimit të qeverisë kalimtare për organizimin e zgjedhjeve dhe serisë së transferimeve kadrovike dhe ndërpartiake të funksioneve, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimeve, Mariçiq do të mbetet edhe zëvendëskryeministër i Qeverisë për Çështje Evropiane, post të cilin e mban aktualisht. “Promovimi” i tij si zëvendëskryeministër i parë, si kuadër i LSDM-së, është një nivelim i forcave në pushtetin ekzekutiv, duke qenë se Xhaferi, i cili është kuadër i BDI-së, është në krye të qeverisë teknike.

Në anën tjetër, Artan Grubi, i cili aktualisht mban pozitën e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë dhe ministrit të Sistemit Politik, do të jetë zëvendëskryeministër për çështje politike dhe ministër i sistemit politik në kabinetin e përkohshëm të Xhaferit.

Bëhet e ditur se si rezultat i marrëveshjes politike mes LSDM-së dhe BDI-së nga viti 2020, në njëqind ditët e fundit para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, kryeministri do të jetë nga partia e Ali Ahmetit, ndërsa ulësja presidenciale në Kuvend do të të plotësohet nga përfaqësuesi i Lidhja Socialdemokrate – koordinatori aktual i grupit parlamentar Jovan Mitreski.

Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së mbrëmë ka konfirmuar kandidatët e partisë më të madhe opozitare për ministra dhe zëvendësministra shtesë në Qeverinë kalimtare. Avokati Pançe Toshkovski është propozuar për ministër të Punëve të Brendshme, ndërsa Gjoko Velkovski për shef të resorit për Punë dhe Politikë Sociale.

Elena Petrova është propozuar për zëvendësministre shtesë për financa, Stefan Andonovski për shoqëri informatike dhe administratë dhe Cvetan Tripunovski për bujqësi, pylltari dhe menaxhim me ujëra.

Zgjedhja e qeverisë teknike duhet të bëhet jo më vonë se të dielën (28 janar) para mesnate.

Zgjedhjet e dyfishta, të cilat do të mbahen në prill dhe maj të këtij viti, do t’i kushtojnë shtetit pothuajse 17 milionë euro, nga të cilat gjashtë milionë euro do të përdoren për punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dhe për përgatitjet që kanë të bëjnë me realizimin e zgjedhjeve dhe mbi dhjetë milionë euro do të përdoren për reklama politike me pagesë, njoftoi dje KShZ, ku u votuan gjithsej 22 pika të rendit të ditës.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.