Stadiumi i Tetovës do të rikonstruohet me para të komunës, Kasami tha se nuk do të kërkohet hua (Video)

Hapja e tenderit për rikonstruimin e stadiumit të qytetit në Tetovë në vlerë prej 600 mijë denarë (9.7 milionë euro) nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” ngriti pyetjen se me çfarë fondesh do bëhet ky investim kur kjo ndërmarrje vitin 2022 e mbylli me rezultat financiar negativ prej -4.2 milionë denarëve. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot theksoi se rikonstruimi do bëhet me para nga komuna të cilat do sigurohen nga të hyrat e komunës prej pagesave të qytetarëve, ai theksoi se nuk është paraparë ndonjë hua, shkruan Portalb.mk.

Pas shumë premtimeve disa vjeçare dhe deklaratave të shumta, me 22 nëntor 2023 u hap tenderi për stadiumin e Tetovës.

Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, lënda e kontratës së prokurimit publik është ndërtim dhe rikonstruim i objekteve sportive, ndërkaq vlera e parashikuar është 600.000.000 denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro.

Tenderi do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor 2023, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është në periudhë prej 36 muajsh.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se në fazën e parë është parë hartimi i projektit ideor të stadiumit të qytetit, do të përgatitet duke respektuar standardet e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve dhe rekomandimet për ndërtimin e objekteve të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese.

“Po ashtu janë marrë parasysh dispozitat e rregullores për infrastrukturën e stadiumeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut”, tha Kasami.

Kasami theksoi se është paraparë edhe mundësia e ndërtimit të komplet të një stadiumi të ri, “por ajo do të shihet në fazën e rikonsturimit, pra bëhet fjalë për rikonstruim pasi është objekti, por mund të ndodh që bashkë me kompanitë të cilat do konkurojnë të dakordohemi që të ndërtohet stadium i ri”.

Në shpallje janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.

Stadiumi i Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Stadiumi i Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

I pyetur për atë se ku do të merren fondet për këtë investim pasi NP “Tetova Transport” vitin 2022 e mbylli me rezultat financiar negativ prej -4.2 milionë denarëve, ndërkaq e njëjta subvencionohet nga Komuna, Kasami tha se do të bëhet me paratë e komunës, pasi “ndërmarrja është e komunës dhe komuna si themeluese do të sigurojë mjete për financimin e këtij projekti”.

“Nga të hyrat e komunës, nga pagesat e qytetarëve dhe gjithë të hyrat tjera që do t’i sigurojmë gjatë realizimit të këtij projekti. Do të financohet me mjetet e pushtetit lokal, sigurisht që ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë edhe me institucionet tjera, në këtë rast me federatën e futbollit të Maqedonisë, me Agjencionin për Rini dhe Sport të cilat lirisht mund të bashkëngjiten në këtë projekt sepse ka edhe pjesë të tjera të cilat mund të ndihmojnë Federata dhe Agjencioni”, tha Kasami.

Ai shtoi se kjo është konkretisht në pjesën e rregullimit të terreneve te qendra sportive ku është paraparë edhe një objekt ndihmës të cilin bashkë me klubet sportive të Tetovës do t’i drejtohen Agjencionit për Rini dhe sport që të ndihmojë në ndërtimin e tij.

Kujtojmë që gjendja e financiare e Komunës së Tetovës është e rëndë pasi komuna ka borxh prej 8.4 milionë eurove, i cili para dy viteve ishte 14 milionë euro. Kasami ka deklaruar se këtë borxh do e ulin me menaxhim më efikas të taksave komunale.

Kujtojmë që për rikonstruimin e stadiumit janë bërë një maratonë premtimesh.

Kryetari i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2023 ka deklaruar disa herë për rikonstruimin e stadiumit, në nëntor, tetor, korrik dhe maj. Edhe vitin 2022 disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti. Rikonstruimin Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra tetovare “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.

LEXO: Pas shumë premtimeve dhe deklaratave, u hap tenderi për stadiumin e Tetovës