Rikonstruimi i Stadiumit të Tetovës, Kasami pret që në vjeshtë të fillojnë punimet

Vjeshta është afati i ri në të cilin pritet të fillojnë punimet për rikonstruimin e Stadiumit të Tetovës. Kështu njoftoi së fundmi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili tha se në bazë të dinamikave të cilat i kanë paracaktuar me përfaqësuesit e “Shkëndijës”, pret që nga vjeshta të nisin punimet, raporton Portalb.mk.

Kryetari i Tetovës njoftoi se javën e kaluar ka pasur takim me kryesinë e klubit “Shkëndija” në lidhje me rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

“Bashkë biseduam për mundësitë në drejtim të fillimit sa më të shpejtë të punëve në stadiumin e Tetovës. Atë që mund të ndaj me opinionin, kemi një ofertë për të cilën ne punojmë në detaje të të njëjtës, besoj që shumë shpejtë do të dalim para opinionit si Komunë e Tetovës edhe si përfaqësues të klubit “Shkëndija” me marrëveshjen finale me çka shumë shpejtë do të nisin punimet në stadiumin e Tetovës”, tha Kasami.

Megjithatë, edhe vitin e kaluar disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti, por kjo nuk ndodhi.

Qytetarët dhe adhuruesit e futbollit me vite presin rikonstruimin e stadiumit të qytetit, i cili është në gjendje të shkatërruar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Kjo më problematikë është për klubin e futbollit “Shkëndija” të cilët nga gjendja e keqe e stadiumit të qytetit, ndeshjet ndërkombëtare i luajnë në Shkup. E vetmja gjë pozitive në këtë stadium është rregullimi i ndriçimit publik dhe fushës së gjelbër.

Portalb.mk disa here u drejtua me pyetje përmes emailit zyrtar edhe te kompania “Ecolog” në lidhje me rikonstruimin e stadiumit, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk kemi marrë.

Para disa muajsh, edhe tifozët e klubit futbollistik “Shkëndija” përmes një fushate kërkuan që kompania “Ecolog” ta bëjë rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

Rikonstruimin e stadiumit kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.