RMV, punonjës të Shëndetësisë në protestë, nëse nuk dëgjohen kërkesat e tyre do të radikalizojnë protestat

Të indinjuar nga fakti që institucionet kompetente nuk dëgjojnë problemet me të cilat ballafaqohen, disa nga punonjësit e shëndetësisë protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë dhe përsëritën kërkesat e tyre: rritje pagash 30%, marrëveshje e re kolektive, stazh pune të beneficuar, rritje e shtesës nga 1 në 4% dhe shndërrim të orarit të punës nga të përkohshme në të pacaktuar, transmeton Portalb.mk.

“Urgjentisht të bëhet transformim i të gjitha punësimeve të përkohshme që janë në të gjitha institucionet shëndetësore të Shtëpisë shëndetësore të Shkupit dhe qendrës klinike, në të gjithë territorin, për t’i mbajtur ata të rinj, sepse ata punojnë me rrogë, mund të thuhet me ndihmë sociale prej 20.000 denarë”, tha Bobi Bojçevski, koordinator kombëtar për shëndetësi në KOS – Konfederata e Organizatave Sindikale.

Gjatë pandemisë Covid-19 ishim heronj, për t’u harruar e gjitha më vonë, reagojnë të indinjuar anëtarët e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Shëndetësisë.

“Punojmë pa sigurim shëndetësor, në fakt me rrogë 20.000 denarë, nëse nuk paguajmë sigurim shëndetësor nuk e kemi. 1.800 denarë janë për shëndetësi, pra marrim 18.200 rrogë bazë. Nuk kemi të drejtë të pushojmë, nuk kemi të drejtë në pushim mjekësor, nuk kemi asnjë të drejtë”, tha infermierja Biljana Xhonova.

Ata thonë se nëse edhe këtë herë Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave nuk gjejnë zgjidhje të përshtatshme për kërkesat e tyre, do të radikalizojnë protestat dhe do të dalin para Qeverisë.

Punonjësit e shëndetësisë për herë të fundit dolën në protestë, më 19 tetor. Atëkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se qeveria ka nënshkruar marrëveshje me sindikatat e punëtorëve shëndetësorë, e cila është sindikata dominuese përfaqësuese. Ai tregoi se pagat e specialistëve janë rritur me 40 për qind, po ashtu ka pasur edhe rritje të pagave të mjekëve, infermierëve dhe personelit jomjekësor.

Kovaçevski përkujtoi se të gjithë punëtorëve u rritën pagat për 10 për qind dhe të gjithë do të marrin K-15 deri në fund të vitit në vlerë prej 10.000 denarë, kurse nga viti në vijim ashtu siç ishte paraparë me marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Kryeministri shtoi se punonjësit e shërbimit paguhen në një nivel shumë më të lartë se më parë.

Kryeministri tha se gjithmonë do të ketë sindikata të reja që do të kenë kërkesa më të larta dhe kërkesat janë legjitime, por duhet të jenë brenda asaj që kanë në dispozicion taksapaguesit. Kovaçevski tha se kërkesat që disa nga punëtorët shëndetësorë i kanë shprehur duhet të shihen në kuadër të mundësive dhe proceseve dhe Ministria e Shëndetësisë të diskutojë për kërkesat e tyre.