Borxhi i Komunës së Tetovës për dy vjet u ul për 5.5 milionë euro, pohoi Kasami

Komuna e Tetovës para pak ditëve doli me informatë se borxhi i Komunës së Tetovës është ulur nga 14.061.397 euro në 8.442.502 euro. Ndërkaq vetëm para kësaj Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje me Ministrinë e Financave për shfrytëzim të fletobligacioneve strukrurore në vlerë rreth 4 milionë euro. Megjithatë me këto fletlobligacione siç thotë kryetari i Komunës së Tetovës nuk ka falje të borxhit, por ky është vetëm një instrument përmes së cilit ka menaxhim më të mirë të borxhit, shkruan Portalb.mk.

Kasami theksoi se nuk është e vërtetë se Qeveria e ka shlyer një pjesë të borxhit përmes fletobligacioneve, pasi këta të fundit nuk nënkuptojnë falje të parave. Ai madje tha se Qeveria e ka vonuar këtë mundësi për katër muaj.

“Përkundrazi, me këtë instrument (fletobligacionet) komuna krediton Qeverinë, pra komuna financon Qeverinë. Pse? Është aneksi dy i marrëveshjes që e kemi nënshkruar me Qeverinë, përcaktohen ratat që komuna ia paguan Qeverisë çdo vjet. Këtu parashihet që brenda 10 viteve çdo vit 1/10 të instrumentit të cilin e kemi marrë diku 4 milionë euro ne të ja paguajmë qeverisë, që i bie çdo vjet ne nga 400 mijë euro i japim qeverisë. Instrumenti maturon brenda 10 viteve. Çfarë nënkupton kjo? Qeveria në fund të vitit të 10 kur instrumenti bëhet i gatshëm që të paguajë qeveria, qeveria duhet të u paguajë atyre kompanive që kanë atë fletobligacion”, sqaroi Kasami.

Fletobligacioni strukturor është instrument i ri financiar, i cili u vendos me Ligjin e Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe u jepet mundësia komunave që t’i shfrytëzojnë ato për shlyerjen e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara. Ato emetohen për 10 vjet dhe me anë të tyre mundësohet riprogramimi i detyrimeve, por edhe mundësia e konsolidimit të buxheteve, si dhe mundësia për t’u fokusuar në zhvillimin e tyre. Vlera për fletobligacionet e emetuara do të kthehet në këste të barabarta 10 vjeçare.

I pyetur nga Portalb.mk për atë se si kanë arritur ta zvogëlojnë borxhin për dy vite, ai tha se menaxhimi financiar ka qenë më i mirë.

“Vetëm në vitin 2021 për dy muaj kemi realizuar inkasim të të hyrave, tatimeve më shumë se që janë realizuar për dhjetë muajt paraprak. Çdo vit pa blllok dotacione mesatarisht rreth 6 milionë euro kemi realizuar të hyra burimore të komunës, që ka të bëjë me tatimet komunale, tatimet në pronë por edhe me akontacionet e tatimit në vlerë të shtuar, të TVSh-së. Kemi pasur qasje të re edhe ndaj bizneseve. Pa këtë instrument (fletë-obligacionet) ne me shumicën e bizneseve kemi nënshkruar marrëveshje për pagesën e borxhit në këste”, tha Kasami.

Por çfarë më tutje, cili është plani i Komunës për uljen e borxhit të mbetur, Kasami thotë se prioritet e kanë pjesën e përmbaruesve, pasi të gjitha obligimet që janë në përmbarim ne paguajmë diku mbi 12% kamata dënimi,

“Që bie se një borxh që është 1 milion euro ne mbi 100 mijë euro në vit paguajmë vetëm për kamatat e dënimit. Prandaj është fokusi kryesor menaxhimi i borxhit që është në përmbarim që të mund paratë e qytetarëve mos të shkojnë në kamata dënimi por të shkojnë në realizim të projekteve. Sa i përket kësaj vazhdojmë me menaxhimin efikas të taskave komunale, por njëherësh jemi edhe në përfundim të disa planeve urbanistike të disa blloqeve urbane me çka do t’i japim zhvillim Tetovës dhe ko ketë mundësi të ndërtohet dhe me këtë do të rritet pagesa e taksës komunale për rregullim të tokës ndërtimore që është më e madhe, besojmë që brenda vitit të ardhshëm mund të menaxhojmë edhe uljen të një pjese të konsiderueshme të borxhit të mbetur”, tha Kasami.

Kujtojmë që Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës përfshirë ndërmarrjet publike dhe shkollat kur u publikua në fund të muajit nëntor 2021 ishte mbi 24 milionë euro, prej të cilave Komuna me mbi 14 milionë euro.