Hendeqet digjitale: Si dezinformatat etnike e kidnapojnë realitetin para zgjedhjeve në RMV
Në hijen e zgjedhjeve lokale që u mbajtën në muajin tetor të vitit 2025, Maqedonia, si para çdo cikli zgjedhor u përball me një fenomen që është shumë më i rrezikshëm sesa retorika e zakonshme politike. Monitorimi tremujor i hapësirës online i kryer nga muaji korrik deri në muajin shtator të vitit 2025, nxjerr në pah një pasqyrë shqetësuese të një shoqërie që po fundoset në hendeqe digjitale. Ajo që në sipërfaqe duket si incidente sporadike në rrjetet sociale, në fakt përfaqëson një makineri të sinkronizuar saktë të dezinformimit dhe narrativave të dëmshme që kanë një qëllim: ta shndërrojnë identitetin etnik në një monedhë të vetme politike me koston e destabilizimit të plotë të besimit shoqëror, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Analiza e qindra përmbajtjeve virale tregon se shumë pak nga hapësira informative e komunitetit maqedonas dhe atij shqiptar përputhet. Në vend të dialogut ne me sa duket jemi dëshmitarë të dy monologjeve paralele të mbushur me urrejtje, ku secila palë veten e sheh si viktimë, ndërsa tjetrën si kërcënim. Këto narrativa nuk mbeten vetëm brenda botës digjitale dhe përhapen drejtpërdrejt në fushat e sportit, oborret e shkollave, autobusët e qytetit, por edhe në rrugë, në lagje.
Narrativat dhe perceptimet etnike në diskursin publik
Hartë vizuale e kornizave dominuese dhe efektet e tyre në hapësirën publike të Maqedonisë së Veriut

Miti i “Rrethimit” për të krijuar frikë te maqedonasit
Në ekosistemin digjital në Maqedoni një nga narrativat dominuese që ka ekzistuar gjatë muajve është frika e humbjes së shtetit dhe sovranitetit. Shqiptarët shpesh portretizohen jo vetëm si bashkëqytetarë që kanë pikëpamje të ndryshme politike, por edhe si “pushtues” që punojnë në mënyrë aktive për tа shkatërruar identitetin maqedonas.
Ky narrativ mori përmasa shpërthyese në muajin korrik përmes incidentit me grupin e tifozëve “Ballistët” të klubit futbollistik “Shkëndia”. Ajo që në thelb ishte një marshim mesnate i tifozëve para një ndeshjeje përmes raportimit sensacional u paraqit si një operacion ushtarak. Media boshnjake online SportSport.ba, ndërsa më pas edhe media online në Maqedoni transmetuan një koment ekstrem nga rrjetet sociale: “Po vjen fundi për sllavo-maqedonasit, Shqipëri etnike, s’ka tjetër” dhe e vendosën atë në titujt kryesorë sikur të ishte një shpallje zyrtare e grupit të tifozëve. Ky manipulim, ku zëri margjinal i një ekstremisti paraqitet si pozicioni kolektiv i një grupi të tërë etnik, e aktivizoi me sukses narrativin për një “pushtim” të Shkupit dhe e përforcoi perceptimin për “shqiptarët si agresorë” që duan dominim.
Kjo frikë mbahet edhe përmes narrativit për “shqiptarin e privilegjuar” i cili është mbi ligjin. Në muajin gusht u bë viral një postim satirik në faqen e Facebook-ut “Mission”, i cili pretendonte se “një metër katror në Haraçinë duhet të jetë 4000 euro sepse e blen një herë dhe nuk ke shpenzime për jetë”. Edhe pse humoristik në shikim të parë, ky postim shkaktoi jehonë të thellë intolerance te disa maqedonas, duke e ushqyer stereotipin e shqiptarëve si qytetarë që nuk e respektojnë ligjin, nuk paguajnë energji elektrike dhe abuzojnë me burimet shtetërore në dëm të shumicës. Reagimi ndaj vendimeve të gjykatës për vrasje pati një efekt të ngjashëm, ku llogaria “Boemot” në Instagram e promovoi tezën se gjyqësori ka standarde të dyfishta: nëse autori i krimit është shqiptar, ai pi kafe në shtëpi, ndërsa nëse është maqedonas, ai menjëherë shkon në paraburgim.
Narrativi i “Viktimës së Përjetshme” për mobilizimin e shqiptarëve
Në anën tjetër të ndarjes etnike, sfera online shqiptare dominohet nga një narrativ i diskriminimit sistemik dhe persekutimit shtetëror. Çdo veprim i institucioneve interpretohet jo si një masë administrative ose ligjore, por si dëshmi e një plani të organizuar për ta de-shqiptarizuar shtetin.
Ky narrativ u eksploatua shumë nga partia politike BDI në muajin korrik, e cila i akuzoi institucionet për “spastrim etnik” pasi Ministria e Mbrojtjes punësoi 25 maqedonas dhe vetëm një shqiptar. Edhe pse punësimet janë një kategori ligjore, mediat në gjuhën shqipe e paraqitën këtë si një “plan sistematik për t’i përjashtuar shqiptarët” dhe për të ndërtuar një shtet monoetnik, gjë që provokoi një ortek komentesh plot zemërim dhe një ndjenjë kërcënimi kolektiv.
Kjo ndjenjë pasigurie manipulohet lehtësisht përmes dezinformatave. Në muajin shtator mediat sociale u përmbytën me lajme se një mjekeje shqiptare në Klinikën e Fëmijëve në Shkup i ishte ndaluar të fliste shqip. Edhe pse ky informacion ishte i rremë dhe nuk kishte konfirmim zyrtar, ai u pranua si e vërtetë absolute sepse përshtatej në mënyrë të përkryer në narrativin tashmë të vendosur të shtypjes. Komentet shpërthyen me pretendime se “në Maqedoninë e Veriut nuk ka institucion ku mund të flasësh shqip”, duke e thelluar më tej mosbesimin ndaj aparatit shtetëror.
Siguria fizike është një tjetër çështje kyçe. Incidenti në Manastir që ndodhi në muajin gusht, kur një djalë u sulmua për shkak se kishte veshur një bluzë me shqiponjën me dy krena, i rindezi tensionet midis komuniteteve. Nga njëra anë, aktorët politikë dhe një pjesë e publikut e portretizuan këtë ngjarje si një shembull të një shoqërie në të cilën shqiptarët trajtohen si qytetarë të klasit të dytë dhe simbolet e tyre kombëtare shihen si kërcënim, duke çuar në thirrje të rrezikshme për “vetëmbrojtje” dhe hakmarrje. Nga ana tjetër, grupi i tifozëve pas sulmit pretendon se incidenti nuk kishte motiv ndëretnik dhe se simboli në bluzë ishte një provokim i thellë për ta, i lidhur me ndjenjat historike dhe lokale të përkatësisë dhe krenarisë. Ky përplasje perspektivash e tregon kompleksitetin e temës dhe rrezikun nga përshkallëzimi i dhunës nëse nuk adresohen të dyja palët.
Fenomeni i “standardeve të dyfishta“
Aspekti më i rrezikshëm i këtyre narrativave është se të dy komunitetet e përdorin të njëjtin argument për ta justifikuar radikalizimin e tyre ose të ashtuquajturin argument të “standardeve të dyfishta”.
Në muajin gusht kur ndodhi incidenti në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku u dëgjuan thirrje antishqiptare, reagimi në mediat sociale u polarizua menjëherë. Përdoruesit shqiptarë të TikTok-ut ndanë video me komente lidhur me “kthimin e dhomave të gazit”, duke e akuzuar udhëheqësinë shtetërore se po shijonte vuajtjet e shqiptarëve. Në të njëjtën kohë komuniteti online maqedonas reagoi me mbrojtje, duke pretenduar se tifozët maqedonas po ndëshkohen padrejtësisht, ndërsa shpërthime të ngjashme nga tifozët shqiptarë (“Shqipëria e Madhe”, “Ilirida”) mbeten të pandëshkuara. Kjo akuzë e ndërsjellë se “të tjerët guxojnë gjithçka, ndërsa ne nuk guxojmë asgjë” krijon një rreth vicioz ku çdo incident i ri nuk është një rast për të dënuar dhunën, por një rast për t’i numëruar mëkatet “tona” dhe “tuajat”.
Kulmi i dehumanizimit ndodhi pas incidentit në një ndeshje futbolli për të rinj në Shtip, ku prindërit i sulmuan fizikisht fëmijët. Në vend që ta dënonin dhunën ndaj të miturve, komentet në Facebook i quajtën shqiptarët “fis i egër” dhe “kaçakë”, duke bërë thirrje për përdorimin e “taktikave bullgare” për dëbim. Nga ana tjetër, komentuesit shqiptarë e krahasuan situatën me Kosovën para luftës, duke pretenduar se maqedonasit qëllimisht po orkestrojnë incidente. Kur fëmijët bëhen shënjestër e urrejtjes etnike, është e qartë se struktura shoqërore është gati të shqyhet.
Nga “verifikimi i fakteve” te “verifikimi i realitetit”
Si të dilet nga ky labirint i urrejtjes? Nuk mjafton më vetëm verifikimi dhe ekspozimi i dezinformatave dhe narrativave të dëmshme. Kjo është ashtu sepse emocionet janë thjesht më të forta se faktet. Gjithashtu, ekspozimi, pavarësisht sa absurde mund të tingëllojë, mund të dalë në favor të disa para së gjithash opsioneve të angazhuara politikisht, të brendshme dhe të jashtme. Një zgjidhje më efikase është përdorimi proaktiv i narrativave unifikuese që do ta dekonstruktojnë logjikën e ndarjeve. Por që të ndodhë kjo nuk nevojiten vetëm përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile, por edhe angazhimi konkret i faktorëve politikë, të cilët padyshim i dominojnë të gjitha diskurset në shoqëri. Ndoshta ajo që nevojitet më shumë janë udhëheqës që do ta nisin rrugën, do të kthehen përpara dhe do të përqendrohen në të ardhmen mbi historinë e përbashkët, pa paragjykime dhe komplekse.
Hapi i parë, sigurisht, është zhvendosja e fokusit nga një narrativ etnik në një narrativ qytetar. Ndryshe nga narrativi se “shqiptarët nuk paguajnë për energji elektrike”, artikujt gazetaresk duhet ta rrisin ndërgjegjësimin se privilegjet në këtë vend nuk kanë një konotacion etnik, por ndoshta mbi të gjitha, partiak dhe financiar. Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria janë një armik i përbashkët; boshllëqet në ligj përdoren nga njerëz të fuqishëm të të gjitha kombësive, ndërsa varfëria prek në mënyrë të barabartë si maqedonasit në Manastir, ashtu dhe shqiptarët në Haraçinë.
Një kundër-narrativ i dytë i mundshëm duhet të përqendrohet në problemet e përbashkëta në jetë. E përderisa politikanë si Ali Ahmeti dhe Hristijan Mickoski shkëmbejnë alegori për “shqiponja” dhe “qen gjuetie”, qytetarët e thithin të njëjtin ajër të ndotur. Analizat mbase të jenë më mirë të na kujtojnë se as monumenti i “Qoses” dhe as thirrjet për “Shqipëri të Madhe” nuk do ta përmirësojnë cilësinë dëshpëruese të shëndetësisë apo arsimit.
Ndarja e vërtetë nuk është midis atyre që bëjnë kryqin dhe atyre që përkulen, por midis atyre që kanë qasje në shërbime publike cilësore dhe atyre që janë lënë në margjina.
Përndryshem rrjetet sociale janë kanalet kyçe për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, ku pjesa më e madhe e përmbajtjes së dëmshme gjenerohet nga individë privatë. Menjëherë pas tyre janë mediat online që publikojnë përmbajtje sensacionale dhe joetike, tregoi Raporti i Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes në Maqedoninë e Veriut i shoqatës “Innovative Media” për periudhën nga 1 janari 2024 deri më 30 qershor 2025. Gjetjet nga monitorimi, i cili është bërë në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis nga monitoruesja mediatike Despina Kovaçevska, tregojnë se sa thellë është rrënjosur gjuha e urrejtjes në diskursin publik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa narrativat etnike, politike dhe ato të bazuara në gjini dominojnë, shpesh duke u ndërthurur dhe duke u përforcuar reciprokisht.