Sponsori i KF Shkëndijës kërkoi rishikimin urgjent të vendimit të FFM-së ndaj klubit

Sponsori i KF Shkëndijës ka kërkuar që vendimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) të rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht. Ata thonë se, KF Shkëndija konsiderohet si një nga klubet e pakta në vend që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe në përputhje të plotë me të gjitha obligimet sportive dhe financiare. Sponsori thekson se investimet, mundi dhe sakrificat e bëra ndër vite kanë qenë të mëdha, ndërsa klubi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në arenën ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

“Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane”, thuhet në reagim.

Sponsori e konsideron të papranueshme që, sipas tij, me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe një kontribut i tillë të shpërblehet me “goditje të qëllimshme”. Për këtë arsye, paralajmërohet se do të shqyrtohet edhe mundësia e tërheqjes nga klubi dhe nga futbolli në Maqedoninë e Veriut.

“Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fund, sponsori u bën thirrje organeve të FFM-së që të reflektojnë me urgjencë dhe të veprojnë në interes të drejtësisë sportive, të klubit dhe të ardhmes së futbollit në vend.

Kujtojmë se Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) i ka vendosur  gjobë drakoniane Klubit të Futbollit Shkëndija për shkak të ngjarjeve në finalen e Kupës, të cilën skuadra nga Tetova e humbi ndaj Sileksit me rezultatin 0:1. FFM e gjobiti Shkëndijën me 105.000 euro dhe e përjashtoi nga ndeshjet e kupës për sezonin e ardhshëm.