FFM e përjashtoi Shkëndijën nga Kupa për sezonin e ardhshëm dhe e gjobiti klubin me 105 mijë euro
Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) i ka vendosur gjobë drakoniane Klubit të Futbollit Shkëndija për shkak të ngjarjeve në finalen e Kupës, të cilën skuadra nga Tetova e humbi ndaj Sileksit me rezultatin 0:1. FFM e gjobiti Shkëndijën me 105.000 euro dhe e përjashtoi nga ndeshjet e kupës për sezonin e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
Komiteti Disiplinor i FFM-së ka nxjerrë vendim për ta gjobitur KF Shkëndijën me 15.000 euro për përdorimin e piroteknikës në ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë midis KF Sileksit dhe KF Shkëndijës.
Përveç kësaj, KF Shkëndija po gjobitet me 10.000 euro për “thirrje dhe sllogane nacionaliste me përmbajtje fyese në baza kombëtare, si dhe 20.000 euro për shfaqjen e një banderole me përmbajtje naziste, për të cilën tashmë është gjobitur nga UEFA”.
“Klubi FK Shkëndija është gjobitur me 30.000 euro dhe është përjashtuar nga Kupa e Maqedonisë për sezonin 2026/27 për refuzimin e pranimit të medaljeve në ceremoni, si dhe për sjellje degraduese dhe mosrespektuese ndaj zyrtarëve dhe ekipit kundërshtar.
Përveç kësaj, FK Shkëndija është gjobitur me 30.000 euro dhe është ndaluar të marrë pjesë në katër ndeshjet e ardhshme në shtëpi për shkak të mosrespektimit të himnit kombëtar, përkatësisht fishkëllimave dhe sjelljes diskriminuese gjatë ndeshjes finale të Kupës së Maqedonisë,” njoftoi FFM në faqen e saj të internetit.
Përveç Shkendijës, u gjobitën edhe Sileks dhe Vardar.
“Komiteti Disiplinor i FFM ka lëshuar vendim për të gjobitur FK Sileks me 5.000 euro për përdorimin e piroteknikës në ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë midis FK Sileks dhe FK Shkendija. FK Vardar është gjobitur me 15,000 euro për brohoritje fyese nga tifozët dhe festim të papërshtatshëm të titullit nga lojtarët.
Gjithashtu, Komiteti Disiplinor ka nisur procedurë kundër FK Vardar për përdorimin e mjeteve piroteknike në ndeshjen e raundit të 33-të midis Vardar dhe Shkëndijës”, thuhet në njoftimin e Komitetit Disiplinor të FFM-së.