Spiritualiteti kibernetik dhe radikalizmi (2)

Ekstremizmi fetar nënkupton interpretime të ashpra dhe të ngushta të besimit, të cilat synojnë të imponojnë pikëpamjet e tyre me çdo mjet, përfshirë edhe dhunën. Kur këto ide shpërndahen në internet, ato mund të përfshijnë përmbajtje propaganduese, thirrje për antarësim, konvertim ose instruksione për veprime të dhunshme. Platforma si rrjetet sociale, forumet online dhe aplikacionet e mesazheve të koduara krijojnë mundësi të reja për grupe ekstremiste, të cilat përdorin këto hapësira për të rekrutuar anëtarë të rinj, për të shpërndarë ideologjinë e tyre dhe për të mobilizuar mbështetësit.

Në epokën në të cilën jetojmë shfaqet edhe fenomeni i fetarisë së çastit (fast religiosity), që dallon shumë nga konvencionalja sepse nuk është e kultivuar dhe ndërtuar natyrshëm. Ky lloj fetarie mund të manifestohet edhe si toksifikim fetar digjital, si mimetizëm i pakontrolluar (Xhigal, 2025), si ndjekje irracionale e klerikëve të caktuar që kanë një diskurs thirrës/prozelitues radikal.

Në lojën online “Kryqëzatat” (The Crusades) lojtarët duhet të zgjedhin një nga fetë apo pseudo-fetë (p.sh., katolicizmi, islami ose paganizmi) gjatë regjistrimit dhe të luftojnë për sukses dhe fitore mbi armiqtë në kontekstin e kryqëzatave dhe konflikteve mesjetare.(mk.game-game.com)

Duke iu përgjigjur pyetjes së tij mbi mënyrën se si u radikalizua, autori i sulmit në supermarketin në Buffalo,ku ekzekutoi 10 afro-amerikanë, shkroi se botëkuptimin e tij e zhvilloi “kryesisht nga interneti. Ka pasur pak ose aspak ndikim në bindjet e mia personale nga njerëzit që kam njohur personalisht.” (Gendron, 2022) Ekstremistët e sotëm nuk janë më vetëm konsumatorë të materialit radikal të shpërndarë nga propagandistët; ata janë, sipas fjalëve të Kesa White, “Webmasters of Hate” (webmasterë të urrejtjes) – ata kryejnë kërkime individuale, shpërndajnë propagandën e tyre dhe krijojnë një klimë armiqësore ndaj të huajve.92% e atyre të cilët janë dënuar midis viteve 2019 dhe 2021 ishin të radikalizuar plotësisht ose pjesërisht online. (Ware, 2023)

Platformat digjitale prodhojnë ekstremizëm hibrid, fobi dhe violencë digjitale-virtuale që më pas manifestohet në terrenin real.  Në një studim të Universitetit të Birminghamit është konstatuar një islamofobi e fuqishme online në twitter dhe YouTube: fjalët kyç kanë qenë islamisevil, stopislam, banmuslims, islamiscancer, islamonazism dhe  islamistheproblem. Në përgjigje të një sulmi si ai në Christchurch, në vend që të tregohet empati, shumë mesazhe në X atakonin muslimanët: “Pak myslimanë të vdekur krahasuar me miliona pafajës të therur nga dora e barbarëve islamikë. #islamisevil #NewZealandTerroristAttack” (Awal, 2025)

Kanali në Telegram i “Lehava”-s, grup ekstremist supremacist hebre, që kultivon antipati ndaj të krishterëve, migrantëve, arabëve dhe muslimanëve, shpall: “Me sasi të tilla armësh do të prodhonja njëqind të vrarë”; “Muslimanët janë si aknet, shpërthen një dhe pas tij vijnë edhe njëzet e dy.” (Fiennes, 2025)

Lokalisht, ndërmarrje radikale-ekskomunikuese është edhe ajo e Grupit të Deçanit për “kthim në fenë e të parëve”, në krishterim. Qasje e gjashme është edhe e grupit virtual “promovon” puro-albanianizmin përmes frazës: “Kush thotë selam, s’ka vend këtu!”

Radikalizmi fetar online është prezent edhe në Maqedonisë së Veriut. Shumë postime në rrjetet sociale ka ku identiteti i muslimanëve shihet si një çështje që kërcënon vlerat krishtere maqedonase: “Nuk ka më durim tek maqedonasit. Është koha ta kthejmë shtetin. Nuk mundet që terroristët e UÇK-së dhe muslimanët të luajnë me Maqedoninë Ortodokse. Mjaft më! Keni kërkuar, shikojeni!” (isdglobal.org) Nga përmbajtjet ekstremiste të frymëzuara fetarisht janë edhe ato të grupimit “Vëllazëria Krishtere”, prezent në facebook dhe YouTube, organizatë që veten e identifikon si apolitike, humanitare, patriotike dhe fetare, që në fakt është etno-nacionaliste, entitet  që ndjek matrica të krahasueshme me grupet e djathta ekstreme të SHBA-ve. Të kësaj fryme janë edhe platformat si: “Stop ndërtimit të Xhamisë në Prilep”  (2015), shpalljet si “Gjëja të cilën shqiptari e përkëdhel (Kur’ani), maqedonasi e djeg.”

Në YouTube ka edhe regjistrime të radikalizmit puritan islamist, si “Xhihadi jem”, “Muslimanët duke i sulmuar kryqat, kafirat, t’pafetë!”, kurse në instagram “Mos voto! Votimi është shirk (politeizëm) sepse zgjidhen ligjvënës tjerë pos Allahut”. Sipas SCN (Strong Cities Network) ‘Minberimedia’, e cila nga qershori 2012 ka shënuar 12 milionë shikime, praktikat hanefite i paraqet si shkarje nga islami, si jobesimtare. Selefi.org kumton se stolisja e shtëpive për hir të Ramazanit është bidat (risi e refuzuar), takvimi gjithashtu; aty gjenden edhe porosi si “Xhamia nuk është për të luajtur pingpong!”, “Mos e bleni këtë Kur’an që shitet sepse i tëri është transkriptuar me alfabet latin” e të ngjashme. “Bejtul muhaxhirin” është një grup radikal që mes tjerash kumton se është në shërbim të menhexh-it (metodës)  të selefit, “gjaku duhet derdhur”, që ka qenë prezente në Telegram dhe TamTam (BalkanInsight, 2022), që promovon libra si “Prova e muxhahidëve”.

Në këtë kontekst do përmenduar edhe kanale çorientuese, të një feje jashtëkornizore, patologjike, të një anti-islami, të një individi të ribrenduar emërisht që propagandon “fenë pa xhami”, kombin musliman, xhenetin pa namaz, idenë boshe “imami i shqiptarëve” etj.

Ekstremizmi fetar online  apo kibernetik përbën një kërcënim të vërtetë për stabilitetin shoqëror dhe sigurinë globale. Interneti ka krijuar një terren të ri, ku ideologjitë e dhunshme mund të përhapen me shpejtësi të madhe. Për të adresuar këtë sfidë, nevojitet një qasje e shumëanshme, që përfshin bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave fetare, platformave teknologjike dhe shoqërisë civile. Vetëm përmes edukimit, rregullimit të duhur ligjor dhe promovimit të vlerave të tolerancës dhe respektit të ndërsjellë mund të reduktohet ndikimi i ekstremizmit fetar në hapësirën online. Për shfrytëzim të shëndoshë të hapësirës kibernetike duhet kulturë digjitale dhe vetë-edukim i vazhdueshëm.Detoksifikimi digjital është një domosdoshmëri në kohën kur influencerët fetarë janë prezentë gjithandej shpeshherë duke prezantuar edhe fe(tari) të rrejshme pasojat e së cilës janë të shumanshme dhe lemeritëse.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre