Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore
Sot në mbarë botë shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, e cila këtë vit i kushtohet temës “Trashëgimia në Rrezik: Ringjall, Rezisto, Riimagjino”, shkruan Portalb.mk.
Tema e sivjetme vë theksin te kërcënimet urgjente ndaj trashëgimisë kulturore dhe natyrore, duke përfshirë ndryshimet klimatike, konfliktet, urbanizimin e shpejtë dhe digjitalizimin. Kjo ditë synon të nxisë ndërgjegjësimin për nevojën e mbrojtjes, restaurimit dhe përshtatjes së vendeve të trashëgimisë, të cilat po përballen me rreziqe gjithnjë e më të mëdha.
Shoqatat dhe fondacionet që veprojnë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore bëjnë thirrje për veprim global, përfshirje të komunitetit dhe zgjidhje inovative, në mënyrë që këto vlera të ruhen dhe t’u transmetohen brezave të ardhshëm.
Në këtë kuadër, Organizata për kulturë, mbrojtje dhe konservim të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore “Huta Tetovë” ka theksuar se, që nga themelimi e deri më sot, ka ngritur vazhdimisht çështje me rëndësi për trashëgiminë kulturore, si në Pollog ashtu edhe në mbarë rajonin.
Nga kjo organizatë vlerësojnë se trashëgimia kulturore është identiteti i një kombi, ndërsa mbrojtja dhe kultivimi i saj përbëjnë mbrojtjen e vetë identitetit të një populli.
“Në këtë ditë, si organizatë, bëjmë thirrje për rritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e monumenteve dhe vendeve (siteve) kulturore e shpirtërore, ndërsa nga institucionet shtetërore kërkojmë angazhim dhe investime më të mëdha në restaurimin, konservimin dhe promovimin e tyre”, thanë nga Huta.