Keinemusik në Sunny Hill 2026, Shpat Begolli: Prishtina është bërë adresë në ngjarjet e mëdha muzikore

Adam Port dhe Rampa, dy emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare elektronike dhe pjesë e kolektivit të famshëm Keinemusik, janë artistët e parë të konfirmuar për Sunny Hill Festival 2026, i cili do të mbahet në Prishtinë më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht, shkruan Portalb.mk.

Me këtë shpallje, Sunny Hill ka hapur zyrtarisht fazën e zbulimit të artistëve për edicionin e ri, duke dhënë sinjal të qartë se edhe këtë verë publiku do të përjetojë një tjetër spektakël të madh muzikor në kryeqytet. Organizatorët kanë bërë të ditur se në javët në vijim do të publikohen edhe emra të tjerë, deri në kompletimin e line-up-it të plotë.

Njëri ndër organizatorët e festivalit, Shpat Begolli, tha për Portalb.mk se Sunny Hill po vazhdon edhe këtë vit traditën e sjelljes së emrave më të njohur të muzikës botërore.

Çdo vit mundohemi të sjellim emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare dhe këtë besoj e kemi dëshmuar me repertorin e viteve të kaluara, ku çdo vit kemi pasur artistë A-list. Edhe këtë vit do të vazhdojmë njësoj. Mbrëmë kemi prezantuar headliner-in e parë të skenës C4, njërës nga dy skenat kryesore në Sunny Hill Festival. Adam Port dhe Rampa nga Keinemusik janë headliner-ët e parë të zbuluar të festivalit dhe të skenës C4”, tha Begolli.

Ai bëri të ditur se festivali do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht, ndërsa shumë shpejt do të bëhet publik edhe line-up-i i plotë.

Në line-up, si çdo vit tjetër, do të kemi edhe artistë vendorë dhe rajonalë. Ekipi i programit mundohet që çdo vit të mbajë një balancë mes artistëve të dëshmuar dhe artistëve të rinj, duke pasur parasysh se një prej qëllimeve të festivalit është edhe promovimi i artistëve të rinj”, theksoi Begolli.

Sipas tij, ky është edicioni i shtatë i festivalit në Prishtinë, ndërsa Sunny Hill tashmë e ka dëshmuar se është jo vetëm një festival me përvojë unike për publikun, por edhe ngjarja më e madhe muzikore në rajon.

“Pa modesti themi se jemi festivali më i madh në rajon. Kjo dëshmohet edhe nga rritja e festivalit, ku tashmë kemi arritur në më shumë se 30 mijë vizitorë në ditë, me përvojë të përmirësuar dhe të veçantë prej viti në vit”, tha ai.

Begolli shtoi se Sunny Hill po rritet jo vetëm në emra dhe audiencë, por edhe në infrastrukturë dhe përvojë për publikun.

Tashmë është edicioni i tretë në hapësirën e re, të cilën po e zhvillojmë posaçërisht për festivale, dhe prej viti në vit po merr formë më të mirë, me më shumë gjelbërim dhe më shumë fasilitete. Këtë vit, përveç dy skenave kryesore, The Sunny Hill Stage dhe C4, do të kemi edhe dy skena të ditës, të cilat do të kenë performanca që nga ora 13:00 dhe do të kenë hapësira të përshtatura me hije, që audienca të mund ta përjetojë programin tërë ditën”, u shpreh ai.

Sipas organizatorëve, ndikimi i festivalit tashmë është i dukshëm jo vetëm në skenën muzikore, por edhe në imazhin që Prishtina dhe Kosova kanë krijuar në arenën ndërkombëtare.

Ne si festival e shohim tashmë, edhe prej qasjes së artistëve, se sa kemi ndikuar për ta ndryshuar perceptimin për Prishtinën dhe Kosovën. Nëse më parë artistët ishin shumë më hezitues të vinin dhe shumë më të kujdesshëm për sigurinë dhe detajet e tjera, tash janë shumë më të relaksuar dhe e dinë se i pret një përvojë shumë e mirë në festival”, tha Begolli.

Ai theksoi se gjatë ditëve të festivalit, por edhe disa ditë para dhe pas tij, Prishtina përjeton një gjallëri të jashtëzakonshme.

Sa i përket ndikimit në Prishtinë dhe në Kosovë, ju vetë mund të jeni dëshmitarë se ditëve të festivalit, si dhe disa ditë para dhe pas tij, Prishtina mbushet me vizitorë, nuk ka hotele apo apartamente për qëndrim, dhe po ashtu i gjithë qyteti mbushet me një energji tjetër. Për ta përballuar këtë fluks të mysafirëve, ne kemi hapur edhe konviktet për mysafirë që nga viti i kaluar, për t’u ofruar më shumë hapësira qëndrimi mysafirëve tanë”, deklaroi ai.

Si një tjetër dëshmi për përmasën ndërkombëtare të festivalit, Begolli bëri të ditur se vitin e kaluar mbi 45 për qind e audiencës ka qenë e huaj, me vizitorë nga më shumë se 65 shtete të botës.

Po ashtu, ai rikujtoi se me tri edicionet e fundit, Sunny Hill është futur në listën e ngushtë të 10 festivaleve më të mira evropiane të madhësisë së mesme, duke u bërë pjesë e turneve të artistëve më të mëdhenj ndërkombëtarë.

Vetëm gjatë dy edicioneve të kaluara, festivali ka sjellë në Prishtinë emra të mëdhenj si Dua Lipa, Shawn Mendes, Anyma, Peggy Gou, Mochakk, Fatboy Slim, Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy, DJ Snake, Black Coffee, The Martinez Brothers, Groove Armada dhe The Blaze.

Në fund, Begolli vlerësoi se e gjithë kjo e ka vendosur tashmë Prishtinën dhe Kosovën në hartën e ngjarjeve të mëdha muzikore.

“Po besoj që kjo vërteton se Sunny Hill Festival tashmë ka ndikuar që Prishtina dhe Kosova të futen në hartën e ngjarjeve të mëdha muzikore”, përfundoi ai.

Me shpalljen e Adam Port dhe Rampa si emrat e parë të edicionit 2026, Sunny Hill po jep sinjal të fuqishëm se Prishtina do të jetë sërish një nga adresat më të rëndësishme të verës muzikore në rajon.