Shenjtërimi i luftës: Disfatë (I)

Lufta: Gjëmo kundër saj!”

Flaubert, The Dictionary of Received Ideas

Një buzëmbrëmje vjeshte e kthimit nga puna dhe, në të hyrë të fshatit tim, Sarajit, më del përpara silueta e kishës ortodokse, “Zllata Meglenska”, e paqenë dikur, e ndërtuar para reth tre dekadave (1996). Dhe s’më bën kurrfarë përshtypjeje negative, më duket si një natyrshmëri e hapësirës në të cilën jetoj; është simbol i bashkëfshatarave të mi, të cilët janë apo jo aktivë në fenë e tyre është punë që s’më tangon mua. S’merrem as me atë se a janë pak apo shumë demografikisht. Më tej, pas nja 300 metrash, më shfaqet xhamia rreth pesëshekullore “Hysejin Shah” me gjithë madhështinë e vet më një histori rreth pesëshekullore (1553). Një ditë tjetër, duke surfuar në internet rastisim një mini-klip që paraqet dy futbollistë të kombëtares së Shqipërisë, njëri duke bërë kryq (Broja) dhe tjetri duke rënë në sexhde (Asani), shembull mbresëlënës i kohabitimit fetar specifik për shqiptarët. Dhe një eksperiment social: këtë të diel gjatë zbritjes nga mali Vodno për në Matkë, takojmë maqedonas me të cilët kalohemi vetëm duke u shikuar, dhe më pas vendos që kalimtarët e radhës t’i përshëndes, ma kthejnë me të njëjtën monedhë, dhe në një ngushticë, në shenjë përparësie i themi njërit “hajde”, na u përgjigj me “ajde” dhe lirim të rrugës. Pra gjithçka, edhe hapja, komunikimi, mirëkuptimi, edhe konservimi, mbyllja, moskomunikimi dhe konflikti varen nga pozicionimi në raportet që njerëzit ndërtojnë me tjetrin/të tjerët.

Dhe aty për aty më shkon ndër mend Lindja e Mesme, Palestina, Izraeli, përleshjet e tmerrshme që të sëmurin mendjen, që të këpusin zemrën, që të bëjnë të konstatosh se vërtet njeriu është edhe apogjeu i qenieve por edhe më enigmatiku, më zullumqari, më i trishtueshmi. Pse në këtë botë ku ka mirësi, dhunti për të gjithë, dominojnë kacafytjet, konfliktet, tendencat për zhdukje? Pse kur njerëzimi thelbin e kanë të njëjtë, gjë që ilustrohet edhe nga teksti i fundit i shenjtë: “O njerëz! Ne ju krijuam nga një mashkull dhe nga një femër, dhe ju ndamë në popuj dhe fise që të njiheni mes vete…” (Fatir, 37)?

Bota i është dhënë njeriut në besim, i është dhënë si dhunti dhe ai është caktuar mëkëmbës i saj. Në të ka edhe hapësirë edhe të mira për të gjithë, por sensi djallëzor e bën njeriun egoist, agresiv, tjetërizues, përjashtues. Siç shprehet Cristopher Coker në veprën A mund të eliminohet lufta, “prirja për t’u shquar na bën qenie sociale dhe garuese; na bën t’u frikësohemi të tjerëve që janë në garë me ne.” “Lufta është e githëpranishme ngaqë ne vazhdojmë të jemi skllevër të biologjisë sonë të trashëguar.” Luftohet në Ukrainë, luftohet në Lindjen e Mesme. Luftra ideologjike, fetare, mes tribuve e kombeve të ndryshme. Vdesin ushtarë, militantë, por edhe njerëz të pafajshëm, civilë, gra, fëmijë të cilët duhet të jenë të përjashtuar nga çmenduria e quajtur luftë. Çmimi i gjakut të njeriut është shumë i lirë sot, në shekullin XXI, kur do duhej të ishim civilizuar deri në atë shkallë sa të mos luftonim me metoda të periudhave kaluara, kur do të duhet të gëzonim mirësitë e progresit human në të gjitha sferat e jetës. Toka na është në besim, ajo është pronë hyjnore, e trashëgojnë robërit krijesat e mira të Zotit. Por faktet flasin se epoka e globalizimit dhe e identiteteve transnacionale mundëson fuqizimin e faktorëve mobilizues, në mesin e tyre edhe feja, që keqinterpretohen dhe keqpërdoren. Këtë e konstatojmë  këtyre ditëve në Rripin e Gazës ku shohim pamje katastrofike, ku më së shumti vuan popullata civileku jeta e njeriut s’vlen gjë prej gjëje, ku sipas UNWRA, Kombeve të Bashkuara, po ndodh një “katastrofë e paparë”, ku njerëzit (palestinezët) janë të privuar nga uji, mielli, nafta, elektriciteti, ku po dëshmohet vdekja e humanitetit. (The Guardian)   /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.