Sot festohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Sot në mbarë botën shënohet 1 Qershori, dita e fëmijëve. Kjo është dita kur fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojra festive. Sot jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve, shkruan Portalb.mk.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjitha qytetet e vendit dhe më gjerë.

Për nder të kësaj dite Galeria e Arteve në Tetovë, në bashkëpunim me Shkollën Fillore SH.F.K “Naim Frashëri”-Tetovë janë duke realizuar punëtori arti të titulluar “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve”. Qëllimi i këtij projekti është të zhvillohet krijimtaria, të forcohet vetëbesimi dhe të kuptohet rëndësia e të drejtave të fëmijëve në një mënyrë artistike dhe argëtuese, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Galerisë së Arteve në Tetovë.

Departamenti i Artit Figurativ në Qendrën për Kulturë realizon projektin “Secili fëmijë është artist”, në kuadër të festimeve të 1 Qershorit.

Ky projekt i kushtohet krijimtarisë së fëmijëve dhe përfshin aktivitete artistike si: vizatime, piktura, zhongler për argëtimin e fëmijëve dhe ekspozita kolektive

Qëllimi i tyre është të mbështesim dhe të promovojmë talentin natyral të secilit fëmijë, duke e inkurajuar të shprehet lirshëm përmes artit.