Ndalohet hyrja në SHBA për zyrtarët e huaj që ua “mohojnë” lirinë e fjalës amerikanëve

“Shtetet e Bashkuara do të vendosin kufizime të reja për dhënien e vizave për zyrtarët e huaj që do i ndëshkojnë amerikanët për shkak se e ushtrojnë “të drejtën e tyre të lirisë së fjalës”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në një postim në platformën X (ish Twitter), transmeton Portalb.mk. 

Në kumtesën zyrtare të Departamentit të Shtetit më tej thuhet se liria e fjalës garantohet nga Kushtetuta e SHBA-ve dhe kjo është arsyeja se pse ata janë një far i lirisë në të gjithë botën

“Edhe përderisa ndërmarrim hapa për ta ulur censurën në vend, po shohim raste shqetësuese ku qeveritë dhe zyrtarët e huaj [e plotësojnë këtë boshllëk]. Në disa raste zyrtarë të huaj po marrin masa evidente të censurimit kundër kompanive amerikane të teknologjisë dhe qytetarëve dhe banorëve të SHBA-ve kur nuk kanë autoritet për ta bërë këtë”, thuhet në deklaratën në uebfaqen e Departamentit të Shtetit.

Në pjesën e dytë e kumtesës shumë qartë theksohet se cili është qëllimi i këtyre kufizimeve të reja. Konkretisht, aty shkruan se është e papranueshme që zyrtarët e huaj t’u kërkojnë kompanive dhe platformave amerikane të teknologjisë të miratojnë politika globale për moderimin e përmbajtjes ose të censurojnë postime jashtë autoritetit të tyre, gjegjësisht në Shtetet e Bashkuara.

Me fjalë të tjera, asnjë vend ose entitet tjetër ndërkombëtar (për shembull, BE-ja) nuk mund të ketë autoritet mbi “lirinë e fjalës dhe shprehjes” të platformave më dominante dhe të përhapura online si Facebook, Instagram, “X” (Twitter), etj. Këtë të drejtë sovrane e kanë vetëm Shtetet e Bashkuara, pra administrata e Donald Trump.

Censura “online” i përket të kaluarës

Anëtarët konservatorë dhe të krahut të djathtë amerikanë të Kongresit, politikanët dhe komentatorët për vite me radhë janë ankuar se po censurohen jashtë mase në mediat sociale. Kjo çështje u aktualizua madje edhe gjatë debatit midis kandidatëve të atëhershëm për zëvendëspresident J.D. Vance dhe Tim Walz, kur Vance tha se “censura është kërcënimi më i madh për demokracinë në Shtetet e Bashkuara”.

Në analizën e Washington Post kjo çështje e “censurës” ishte gjithashtu pjesë e seancave dëgjimore në kongres, një nga arsyet pse Мusk e bleu Twitter-in, si dhe casus belli  për të shfuqizuar disa programe dhe projekte që e hulumtojnë temën e dezinformatave. Por, siç tregon numri më i madh i hulumtimeve në këtë temë, e vërteta është pak më e komplikuar.

Hulumtimi i botuar në revistën e njohur Nature konfirmon se konservatorëve dhe mbështetësve të Trump-it ka më shumë gjasa që tu fshihen postimet ose tu mbyllen llogaritë e tyre në mediat sociale sesa liberalëve dhe mbështetësve të Joe Biden. Por kjo nuk do të thotë që moderimi i përmbajtjes është i njëanshëm. Përkundrazi, kjo ndodh sepse siç thuhet në vetë hulumtimin, llogaritë konservatore janë “ndëshkuar” më shpesh sepse kanë publikuar më shumë dezinformata.

Dhe jo vetëm kaq, por edhe hulumtime të tjera i konfirmojnë këto gjetje, të cilat tregojnë se mundësia që përdoruesit konservatorë të ndajnë postime që përmbajnë dezinformata ose gjuhë urrejtjeje është më e madhe. Kjo është e vërtetë edhe kur republikanëve që marrin pjesë në hulumtim u lejohet ta definojnë vetë se çfarë konsiderohet e rreme ose me cilësi të ulët.

Sidoqoftë, kjo praktikë e akuzave për censurë ka edhe një qëllim më të gjerë dhe praktik.

Çfarë ka në prapavijë?

Një ditë para fillimit të mandatit të dytë të Trump-it, Mark Zuckerberg deklaroi se gjatë moderimit të përmbajtjeve në platformat e tij po bëheshin shumë gabime, gjë që çon drejt censurës dhe shkeljes të së drejtës së fjalës dhe lirisë së shprehjes. Për këtë arsye, Meta (kompania amë e Facebook, Instagram, Threads dhe WhatsApp) e ndërpreu programin e saj për verifikimin e fakteve (në SHBA).

Zuckerberg e thekson në veçanti “problemin” me Evropën, duke thënë se “Evropa ka gjithnjë e më shumë ligje që e institucionalizojnë censurën dhe e bëjnë të vështirë ndërtimin e çdo gjëje inovative atje”.

Nga Komisioni Evropian deklaruan se Ligji për Shërbimet Digjitale nuk i detyron e as nuk kërkon që platformat të heqin përmbajtje të ligjshme, por vetëm të heqin përmbajtje që mund të jetë e dëmshme, si për shembull për fëmijët ose për demokracitë e BE-së.

“Ne i hedhim poshtë absolutisht të gjitha pretendimet për censurë”, tha zëdhënësi i Komisionit.

Pa dallim se cili ishte motivimi i Zuckerberg-ut për ta ndryshuar kursin, pra për t’u rreshtuar me administratën e Trump-it me çka do ta “afirmojë” interpretimin e pasaktë të “censurës”, ky tension midis kompanive të teknologjisë dhe organeve rregullatore u përhap edhe në botën më të gjerë politike.

Konkretisht, J.D. Vance gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih e shfrytëzoi rastin jo për ta treguar rrezikun e pushtimit rus të Ukrainës, por për t’i akuzuar udhëheqësit evropianë se po shtypin mendimet e kundërta duke i kategorizuar ato si “dezinformata” ose “keqinformim”. Me fjalë të tjera, për të thënë se censura është një rrezik më i madh se armët ruse.

Por, sipas Reuters, zyrtarët e BE-së e mbrojtën Ligjin për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA). Ky ligj ka për qëllim që ta bëjë më të sigurt mjedisin online duke kërkuar që kompanitë e teknologjisë të kenë një lloj të verifikimit të fakteve dhe moderim të përmbajtjes në platformat e tyre. Si dhe të bëjnë përpjekje më të mëdha për t’u përballë me përmbajtjet e paligjshme, përfshirë këtu gjuhën e urrejtjes dhe materialet me përmbajtje seksuale eksplicite.

Disa analistë e shohin një pamje më të gjerë. Për shembull, Al Jazeera shkruan se:

“Akuzat për censurë antikonservatore janë bërë një mjet për administratën Trump për t’i përforcuar lidhjet me partitë dhe politikanët e ekstremit të djathtë në Evropë dhe në mbarë botën.”

Prandaj, Departamenti i Shtetit publikoi një kumtesë ku u bën thirrje aleatëve në Evropë ta përqafojnë “trashëgiminë e përbashkët të qytetërimit perëndimor” dhe ku thotë se qeveritë në kontinent i kanë “përdorur institucionet politike si armë kundër qytetarëve të tyre”.

Por SHBA-të po bëjnë akuza të këtilla për shtypje të qytetarëve të vet kur edhe vetë janë duke bërë përpjekje të ngjashme të përqendruara te studentët dhe aktivistët propalestinezë që kërkojnë fundin e pushtimit në Gaza.

Të drejtë për liri të fjalës dhe shprehjes, por vetëm për disa

Duke folur me një ish-zyrtar të Departamentit të Shtetit, Politico shkruan se për shkak të mënyrës se si është shkruar masa me një interpretim kaq të gjerë, ka të ngjarë të mos ketë pasoja ligjore. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë implikime më të mëdha ndërkombëtare:

“Mendoj se pyetja është se çfarë e konsideron kjo administratë si pasojë negative ndaj politikës së jashtme? Nëse ka një nazist amerikan që publikon postim në Francë, ndërsa Franca e ndalon postimin e materialeve pro-naziste, a do të thotë Rubio se pronarëve të asaj platforme franceze që e moderojnë përmbajtjen do t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara?” pyeti ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit.

Përveç kësaj, siç thuhet në analizën e Al Jazeera-s, këto kufizime të reja po prezantohen pasi administrata Trump vazhdoi me “represionet ndaj studentëve ndërkombëtarë të përfshirë në protestat pro-palestineze në universitetet amerikane”, siç është rasti i Rumeysa Ozturk, e cila u arrestua për shkak se me disa studentë të tjerë shkroi një kollumnë ku bënte thirrje për t’i dhënë fund mbështetjes së SHBA-ve për Izraelin. Raste të ngjashme janë raportuar edhe kundër Маhmoud KhalilМоhsen MahdaviLeka Kordia dhe studentëve të tjerë të shquar propalestinezë.

Dhe jo vetëm kaq, por, siç shkruan Zëri i Amerikës, po bëhen përpjekje kundër aktivistëve propalestinezë, me të cilat kërkohet: “gjetja, arrestimi dhe deportimi i këtyre simpatizantëve terroristë nga vendi ynë – për të mos u kthyer kurrë”. Përveç kësaj, sipas NBC NEWS administrata Trump ka pezulluar intervistat e reja për marrjen e vizave për të studiuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Departamenti i Shtetit përgatitet për një shqyrtim të detajuar të aplikantëve, domethënë, profileve të tyre në mediat sociale. Ndërsa nuk është e qartë se si dhe për çfarë do të kontrollohen profilet në mediat sociale të studentëve potencialë, ajo që është e qartë është se nën mbikëqyrje janë pikëpamjet e shprehura publikisht të studentëve ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara. Në mënyrë të ngjashme, muajin e kaluar, një numri të madh të studentëve iu pezulluan vizat, pra statusi i tyre ligjor.

Abuzimi i lirisë së shprehjes dhe platformat në të cilat ushtrohet ajo

Meta dhe Twitter një kohë bënin një rezistencë më të madhe ndaj administratës së parë Trump, të paktën në aspektin e moderimit të përmbajtjes, ndërsa në raste ekstreme si përpjekja për grusht shteti më 6 janar në Uashington, të tjerë ia pezulluan llogarinë. Por, kur kontrolli ndaj Twitter –it ra në duart e Musk, çështja është shumë më e qartë, sepse politikat e tij ishin dhe janë shumë më afër Trump-it sesa atyre të Zuckerberg-ut, prandaj Musk u bë pjesë e administratës amerikane.

Por, doemos duhet të bëhet pyetja se çfarë ka ndryshuar në ndërkohë që edhe Zuckerberg-u të anojë nga botëkuptimi i Trump-it për “censurën”.

Në vitet e fundit, Këshilli Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave e ka gjobitur Meta-n  me një shumë marramendëse prej 1,2 miliardë eurosh për transferim të paligjshëm të të dhënave nga BE-ja, pra nga Irlanda në SHBA. Kjo gjobë u pasua nga një tjetër prej vetëm 200 milionë eurosh për atë nëse përdoruesit e Meta-s kishin dhënë pëlqim që të mblidheshin të dhënat e tyre. Meta e akuzoi BE-në duke thënë se ajo dëshiron që të “hendikepojë bizneset e suksesshme amerikane” me rregulloret e saj.

“X” i Musk gjithashtu është në shënjestër të BE-së, me çrast për të po përgatitet një gjobë për atë që burimet e New York Times e quajnë shkelje të një ligji kyç për luftimin e përmbajtjeve të paligjshme dhe dezinformatave. Përveç kësaj, platforma “X” edhe vitin e kaluar ishte nën hetim për postim të supozuar të përmbajtjeve së paligjshme.

Sidoqoftë, pikërisht për shkak të këtyre gjobave, Zuckerberg “intervenoi“ te administrata Trump që ta ndalojë “censurimin” e kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë. Pikërisht për këtë, siç përcjell Politicо, në fillim të vitit anëtarët me ndikim të Parlamentit Europian ishin të shqetësuar se Komisioni Europian do t’i nënshtrohej presionit dhe do të tërhiqte disa nga rregullat më të rrepta që i rregullojnë rrjetet sociale, konkurrencën digjitale dhe inteligjencën artificiale, sepse Trump mund tu hakmerrej.

Por, përveç gjobave astronomike, të cilat mund të mos jenë aq të mëdha duke pasur parasysh të ardhurat vjetore të kompanive, tensioni është se kush dhe sa ndikim do mund të ketë ndaj produkteve  që këto platforma i ofrojnë në tregun evropian. Dhe, në fund, “shmangia” e rregulloreve nën maskën e “të drejtës së shprehjes” është një narrativë e fuqishme sepse luan me emocionet e qytetarëve të zakonshëm, sikur ata të jenë nën sulm, e jo me kompanitë produktet e të cilave ato i përdorin.