Sot dhe nesër zhvillohet konferenca vjetore ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bledit

Sot dhe  nesër (28 dhe 29 gusht) do të mbahet konferenca vjetore ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bledit, Slloveni. Ai do të zhvillohet nën moton “Solidariteti për Sigurinë Globale”, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, kryeministri slloven – Robert Golob dje organizoi darkë pune me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe kryeministri i vendit – Dimitar Kovaçevski.

Në këtë darkë ishin edhe presidenti i Këshillit Evropian – Charles Michel, kryeministri i Shqipërisë – Edi Rama, kryeminstri i Kosovës – Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë – Ana Brnabiq, kryeministri i Malit të Zi – Dritan Abazoviç, kryeministri i Kroacisë – Andrej Plenkoviç, kryeministri i Bullgarisë – Nikollaj Denkov, presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës – Borjana Kristo, si dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Sllovenisë – Tanja Fajon.

Nga Qeveria bënë të ditur se liderët shfrytëzuan rastin për të diskutuar për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe ecurinë e proceseve reformuese, që konsiderohet si investimi më i mirë për vendet e rajonit.

Konferenca ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bled është konferenca kryesore në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Ajo zhvillohet çdo vit në fund të verës në mjedisin piktoresk alpin të liqenit Bled, Slloveni.

Konferenca është një mbledhje e pjesëmarrësve nga fusha të ndryshme me njohuri të ndryshme, duke i inkurajuar ata të shkëmbejnë pikëpamje dhe të gjenerojnë ide për të adresuar sfidat e tanishme dhe të ardhshme. Përveç kësaj, konferenca ofron gjithashtu një mundësi unike për takime të përshtatura dhe rrjetëzim me palët e interesuara rajonale dhe globale.

Konferenca ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bled është ngjarja qendrore e Forumit Strategjik të Bled.