Komunat si pus pa fund: Nga qeveria e kaluar morën mbi 100 milionë euro, tani do ta shfrytëzojnë kredinë hungareze
Kryetarët e komunave janë në vitin e fundit të mandatit të tyre dhe përveç se që kanë trashëguar një arkë komunale pothuajse plot me para, ato gjatë viteve të fundit për shkak të krizës ekonomike kanë marrë edhe ndihmë financiare nga buxheti qendror, por kanë marrë para edhe përmes programit TAV të cilat ishin të parapara për ndërtimin e kargo aeroportit në Shtip, por në muajin dhjetor në llogaritë e tyre janë transferuar edhe 32,5 milionë euro për projekte kapitale. Tani sërish është aktual konkursi në të cilin kryetarët e komunave kanë dorëzuar projekte për të marrë një pjesë të 250.000 milionë eurove që ua ka premtuar kryeministri Hristijan Mickoski nga kredia hungareze, transmeton Portalb.mk nga Racin.mk.
Mirëpo, me sa duket paratë përfundojnë në një pus pa fund, ndërsa komunat, të cilat kryesisht menaxhohen nga kryetarë nga radhët e partisë në pushtet VMRO-DPMNE, më shumë janë të interesuara për aktivitete PR sesa për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve. E njëjta gjë vlen edhe për Qytetin e Shkupit. Kudo ka mbeturina, transporti publik po dështon, rrugët janë plot me gropa, baltë, stacionet për trajtimin e ujërave të zeza mbetën të pa ndërtuara, si dhe rrjetet e kanalizimeve, shkollat janë pa kondicionerë dhe klasat janë me numër tejet të madh të nxënësve, nuk ka materiale të mjaftueshme për mjetet didaktike etj.
Kovaçevski ju miratoi para për rrugë, kopshte, shkolla
Qeveria e kryeministrit Dimitar Kovaçevski kah fundi i vitit të kaluar më 14 dhjetor të vitit 2023, mori vendim për rialokimin e mjeteve buxhetore në vlerë prej dy miliardë denarë (32,5 milionë euro) për realizimin e 66 projekteve në 44 komuna.
Krahas Qytetit të Shkupit para nga arka e shtetit morën edhe komunat: Qendër, Gjorçe Petrov, Saraj, Aerodrom, Ohër, Makedonski Brod, Manastir, Kriva Pallankë, Shtip, Likovë, Kërçovë, Vallandovë, Strumicë, Rosoman, Dojran, Berovë, Dellçevë, Zhelinë, Gostivar dhe të tjera.
Sipas vendimit të Qeverisë paratë duhej të ishin të destinuara për ndërtimin dhe përfundimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore, objekteve të sportit, pastaj për realizimin e projekteve në fushën e infrastrukturës, si dhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, të cilat ndikojnë në përmirësimi i shëndetit të qytetarëve, e përderi sa një pjesë e tyre janë realizuar, për disa nuk ka informacion se deri ku është realizimi.
Siç informuan paraprakisht nga Qeveria në projektet nga pjesa e infrastrukturës rrugore, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do t’i ndajë gjithsej 360 milionë denarë Qytetit të Shkupit për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina” në lagjen Vizbeg. Për këto para Mickoski propozoi që ato të rialokohen për NQP-në.
Kur bëhet fjalë për projektet më të mëdha Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka rialokuar 110 milionë denarë për rikonstruimin e rrugës “8 Shtatori“ në Orizare të epërme në Manastir. Para janë paraparë edhe për përfundimin e urës “Ljubljanska” në Shkup. Ura më e re në lumin Vardar në Shkup është ndërtuar tërësisht me para të dhuruara dhe si objekt i përfunduar i është dhënë Qytetit të Shkupit (dhe shtetit), por nuk mund të vihet në funksion sepse qyteti nuk ka ndërtuar rrugë për qasje deri tek ajo, ndërsa nga fillimi i miratimit të vendimit për ndërtimin e urës dhe deri më tani kanë kaluar 4 deri në 5 vjet.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës rialokoi 100 milionë denarë për përfundimin e ndërtimit të shkollës fillore “Bllazhe Koneski” në komunën e Aerodromit, ndërsa me mjete të kësaj ministrie në qershor të këtij viti filloi ndërtimi i shkollës “Kliment Ohridski” në fshatin Draçevë dhe filloi ndërtimi i shkollës së re fillore në Hasanbeg, komuna e Gazi Babës.
Me mjete të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës po ndërtohet sallë sporti në shkollën fillore “Vanço Nikoleski” në fshatin Leskoec të Ohrit si dhe po bëhet rikonstruimi dhe adaptimi i hapësirës për objektin e ri shkollor për nevojat e shkollës fillore “Koço Racin” në Ohër.
Me mjete nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në vlerë prej 60 milionë denarë, duhet të fillojë ndërtimi i një kopshti të ri për fëmijë me kapacitet për 100 fëmijë në kuadër të kopshtit “Rosica” në Stopanski Dvor, Komuna Gjorçe Petrov.
Ishin paraparë edhe punime ndërtimore edhe në disa kopshte të tjera në Komunën e Aerodromit, të cilat janë në proces e sipër.
Me mjete nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 90 milionë denarë në Prilep ende nuk ka filluar ndërtimi i fabrikës për riciklimin e mbeturinave. Sa i përket fushës së mjedisit jetësor nuk ka filluar as ndërtimi i planifikuar i stacioneve të pastrimit në Çuçer Sandevë dhe Pllasnicë.
Në komunën e Ilindenit do të rikonstruktohet ambullanta për të cilën ishin paraparë tetë milionë denarë, ndërsa do të jetë gati deri në dhjetor të vitit 2024.
Me vendim të Qeverisë ishte paraparë edhe ndërtimi i sallës së sportit në Komunën e Shtipit me mjete të Agjencisë për Rini dhe Sport, që ka filluar në muajin qershor.
Përndryshe, 32,5 milionë eurot u siguruan me rialokimin e mjeteve financiare nga buxhetet e gjashtë ministrive dhe një agjencie. Pra nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Kulturës, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe nga Agjencia për Rini dhe Sport.
49.7 milionë euro përmes programit TAV
Më 23 dhjetor të vitit 2020 Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e vërtetoi Marrëveshjen për koncesion të lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ShPKNjP TAV Maqedoni, me të cilën u vu në funksion vendimi për shpërndarjen e mjeteve që ishin paraparë për kargo aeroportin në Shtip. Me këtë vendim shuma financiare prej 49,7 milionë euro për atë qëllim u rialokua për 90 projekte infrastrukturore për 75 komuna në vend, si dhe për zgjerimin e kapaciteteve të objekteve të aeroportit në Shkup dhe Ohër.
Grupi i parë i 23 komunave për realizimin e projekteve për qytetarët, me vlerë të përgjithshme prej 609,9 milionë denarë, gjegjësisht 9,9 milionë euro, paratë i mori më 15 qershor të vitit 2021.
Kryeministri Zoran Zaev atëkohë theksoi se me këtë vendim Qeveria dëshmoi se angazhohet për zhvillim të balancuar rajonal dhe për përforcimin e infrastrukturës në nivel komunal.
Në grupin e parë ishin të përfshira komuna e Butelit, Prilepit, Novo Sellës, Shuto Orizarit, Kriva Pallankës, Vallandovës, Strumicës, Dellçevës, Prespës, Probishtipit, Karbincit, Likovës, Tetovës, Çairit, Sarajit, Rosomanit, Bosillovës, Karposhit, Nagoriçanit të vjetër, Negotinës, Zelenikovës, Tearcës dhe Bogovinës.
Pasoi pjesa e dytë e këtij projekti, kur Fatmir Bytyqi dhe kryetarët e komunave të këtij grupi nënshkruan kontrata për realizimin e 36 projekteve infrastrukturore në 34 komuna, për t’i plotësuar nevojat reale të qytetarëve.
Zëvendëskryeministri Bytyqi atëkohë tha se Qeveria mendon për të gjithë qytetarët, në mbarë vendin, pavarësisht se ku jetojnë, vazhdimisht mendojnë për zhvillim të balancuar rajonal, si dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe ngritjen e standardit jetësor të secilit qytetar.
Në grupin e dytë të kontratave, më në numër, nga nëntë janë ato që kanë të bëjnë me projekte për furnizimin me ujë dhe projektet për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe rrugëve lokale, ndërsa do të realizohen edhe tetë projekte që kanë të bëjnë me ndërtimin ose rehabilitimin e infrastrukturës komunale, kanalizimit fekal apo atmosferik.
Kanalizimet atmosferike apo fekale kanë filluar të ndërtohen në fshatin Maçevë, si dhe në Jurumlleri në Gazi Babë, ku do të ndërtohet edhe një stacion për pastrim, rrjet të ri të kanalizimit do të ketë në fshatin Crniçani në Dojran dhe në një pjesë të komunës së Kisella Vodës, rrjet të ri të kanalzimit do të ketë edhe zonën industriale në Makedonska Kamenicë, me këto projekte janë siguruar paratë për kolektor fekal për fshatrat Sopot, Tabanoc dhe Çetircë të Kumanovës, kanalizim atmosferik në Probishtip dhe infrastrukturës komunale në Qendër.
Gjithashtu filloi realizimi i dy projekteve për rregullimin e shtretërve të lumenjve në Tetovë dhe Likovë, rikonstruimin e spitalit të përgjithshëm në Gostivar, qendrës rinore në Zhelinë dhe shtëpisë së kulturës në Demir Kapi, zgjerimin e shkollës fillore në Dollnen, rindërtimin e qendrës së qytetit dhe një morgu për varrezat ortodokse në Kërçovë, si dhe për ndërtimin e një sallë të re sporti në komunën e Çashkës.
Grupi i tretë i komunave marrëveshjet për grante i nënshkruan më 30 korrik të vitit 2021, kur 32 komuna u zotuan që të realizojnë 35 projekte infrastrukturore, si dhe projekte për përmirësimin e kushteve të terminaleve në dy aeroportet e operuara nga TAV, me një vlerë të përgjithshme prej 22.3 milionë euro.
Tani VMRO-DPMNE do të ndajë para të reja
Ministri i vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, në një intervistë për “360 Gradë” në MRT 1 deklaroi se nesër fillon procesi i vlerësimit të projekteve të dorëzuara nga komunat për shpërndarjen e njëqind milionë eurove. Afati për dorëzimin e këtyre projekteve skadon sot. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale tashmë ka shpallur një thirrje publike për ndarjen e këtyre mjeteve, ndërsa projektet janë dorëzuar në gjashtë ministritë përkatëse: për kulturë dhe turizëm, transport, politikë sociale, arsim, mjedis jetësor dhe për sport.
Perinski shpjegoi se vlerësimi nuk do të zgjasë më shumë se shtatë deri në dhjetë ditë. Ai theksoi se nga mesi i javës së ardhshme duhet të përgatitet një raport nga ministritë përkatëse për atë se cilat projekte do të financohen.
“Duam që një pjesë e këtyre mjeteve të jenë në dispozicion të komunave sa më shpejt që të jetë e mundur që t’i realizojnë projektet këtë vit, veçanërisht në ato komuna ku dimri vjen më herët”, tha Perinski.
Për shpërndarjen e mjeteve përdoren dy kritere kryesore: shpërndarja e mjeteve financiare sipas numrit të banorëve në komunat, bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë dhe kompletimi i dokumentacionit të projektit, duke përfshirë të gjitha lejet e nevojshme dhe një përllogaritje të reviduar të rastit jo më të vjetër se 12 muaj.
Në pyetjen se pse Qeveria ka zgjedhur këto dy kritere të përgjithshme Perinski shpjegoi se qëllimi është që mjetet të shfrytëzohen në tërësi.
Ministri gjithashtu theksoi se ka raste kur kompani u donojnë projekte pushtetin lokal, por tha se shpreson se këtë herë nuk do të ketë situata të tilla.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, përmes mbështetjes nga UNDP dhe qeveria suedeze ofron mbështetje për komunat që nuk kanë kapacitet për të financuar dokumentacionin e projektit.
Komuna e Tearcës është e vetmja komunë nga gjithsej 81 që nuk kanë aplikuar me kohë. Fillimisht kanë dërguar aplikacion pa firmë dhe vulë nga një email privat, e më pas kanë dërguar edhe me postë, por pas afatit të caktuar kohor.