Sot dhe nesër përkujtohet Masakra e Reçakut, 27 vjet nga krimi që tronditi Kosovën

Sot dhe nesër përkujtohet Masakra e Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda dhe më tronditëse të historisë së fundit të Kosovës. Me homazhe dhe aktivitete përkujtimore, qytetarë, familjarë të viktimave dhe përfaqësues institucionalë nderojnë 45 civilët shqiptarë të vrarë mizorisht më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, shkruan Portalb.mk.

Fillimisht, në mëngjesin e acartë të 15 janarit 1999, rreth orës 06:45, banorët e Reçakut u zgjuan të tronditur nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe, e cila nisi ta godasë fshatin nga disa pozicione. Pas valës së granatimeve, forcat serbe hynë në fshat dhe nisën bastisjet shtëpi më shtëpi. Banorët u përpoqën të largoheshin për t’u shpëtuar sulmeve, por shumë shpejt u kuptua se fshati ishte i rrethuar dhe rrugët e ikjes të bllokuara.

Më vonë, 24 burra, të nxjerrë nga një prej shtëpive ku po fshiheshin, u detyruan të ecin të rreshtuar, nën përcjelljen e trupave serbe. Ata u ekzekutuan nga afër me armë automatike dhe u masakruan në vendin e njohur si “Gropa e Bebushit”.

Në total, atë ditë u vranë dhe u masakruan 45 civilë shqiptarë, në lokacione të ndryshme përreth fshatit. Mes viktimave kishte fëmijë, gra dhe të moshuar. Krimi u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, duke e shndërruar Reçakun në një simbol të dhimbjes, por edhe të së vërtetës që nuk duhet të harrohet.

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Reçakut”, institucione lokale dhe qendrore të Kosovës, së bashku me shoqatat e dala nga lufta dhe përfaqësues të familjeve të viktimave, organizojnë homazhe dhe aktivitete të ndryshme për nderim e kujtim.

Këto organizime synojnë të mbajnë gjallë kujtesën për të rënët, të ruajnë dhe të dëshmojnë të vërtetën historike, si dhe ta përcjellin atë te brezat e rinj, si mësim për lirinë dhe çmimin e saj. Përkujtimi i Reçakut mbetet thirrje e vazhdueshme për drejtësi, respekt për viktimat dhe angazhim që krimet e luftës të mos harrohen dhe të mos përsëriten kurrë.

Aktivitete përkujtimore organizohen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe me përkrahjen e Shoqatave të dala nga Lufta, në nderim dhe kujtim të viktimave të Masakrës së Reçakut.