Sonte në Vjenë fillon Eurovisioni, 35 shtete në garë dhe disa bojkotime

Edicioni i ri i “Eurovision 2026” nis zyrtarisht sonte në Vjenë, duke e kthyer kryeqytetin austriak në qendrën europiane të muzikës dhe spektaklit. Këtë vit, në garë marrin pjesë 35 shtete, të cilat do të prezantojnë performanca që ndërthurin muzikën moderne me elemente kulturore dhe skenografi madhështore, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, festivali po zhvillohet mes debatesh dhe tensionesh politike. Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda kanë vendosur të mos jenë pjesë e kompeticionit, duke e arsyetuar bojkotin e tyre me kundërshtimin ndaj pranisë së Izraelit në garë.

Gjatë javës së festivalit janë paralajmëruar edhe demonstrata në mbështetje të Palestinës. Për këtë arsye, autoritetet austriake kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe forca policore të ardhura nga shtete të tjera europiane, përfshirë Gjermaninë.

Mediat ndërkombëtare po i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij edicioni. BBC ka publikuar një përmbledhje dhe analizë të këngëve konkurruese, ku ndër emrat më të komentuar është përfaqësuesi shqiptar, Alis. Sipas vlerësimeve të medias britanike, performanca shqiptare është dalluar për interpretimin vokal, identitetin artistik dhe elementët kulturorë të sjellë në skenë.

“Eurovision 2026” do të vijojë për disa net me radhë në Vjenë, përmes gjysmëfinaleve dhe natës finale, ku në fund do të shpallet edhe fituesi i këtij edicioni.