Sllovenia dhe Franca gati të dërgojnë zjarrfikës me automjete speciale në Maqedoninë e Veriut

Sllovenia dhe Franca i janë përgjigjur mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian për t’u përballur me zjarret në vend, raporton Portalb.mk.

Këto dy vende janë gati të dërgojnë zjarrfikës me automjete speciale. Beteja me zjarrin në malin Goten në territorin e komunave Vasilevë, Radovish dhe Berovë ka vazhduar për dymbëdhjetë ditë.

Zjarri po shuhet si nga toka ashtu edhe nga ajri. Kryetari i Komunës së Berovës, Zvonko Pekevski, thotë se situata me zjarrin është kritike, gjatë natës zjarri e kaloi brezin mbrojtës, i cili u bë me traktorë dhe buldozerë.

Në këtë pjesë, pylli me pyje të larta po digjet. Shtabi i krizës është pajtuar që nëse zjarri vazhdon të përhapet, nuk përjashtohet mundësia e evakuimit të disa fermave dhe qytetarëve që ndodhen në atë pjesë të malit, të cilët mbajnë bagëti.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, njoftoi që Çekia ka dërguar helikopter kundërzjarr, ndërsa Sllovenia dërgoi një ekip me 50 zjarrfikës.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot (28 korrik) deklaroi se është aktivizuar Mekanizmi Evropian për ndihma, por është vështirë pasi edhe në vendet të tjera janë përhapur zjarret.

Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe këtë vit Maqedonia e Veriut përballet me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.