Në Maqedoninë e Veriut janë dhjetë zjarre aktive, Shtabi i Krizës kërkoi ndihmë nga banorët për shuarjen e një zjarri
Qendra për Menaxhimin me Kriza ka njoftuar që në mëngjes janë regjistruar dhjetë zjarre aktive, ndërsa tre zjarre tjera janë nën kontroll, transmeton Portalb.mk.
“Deri në ora 07:00 gjithsej 29 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilat: 10 aktive, 3 nën kontroll dhe 16 të shuar”, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Dhjetë zjarret aktive janë në Komunën e Vasilevës, në Shtip, Zelenikov, Zhelinë dhe Strumicë, ndërsa nga dy në Prilep dhe Brod.
Qendra sqaroi që tre zjarret që janë nën kontroll janë në Brod, Shuro Orizare dhe Karbinci.
Komuna e Berovës ka kërkuar nga qytetarët të bashkohen në grupin e vullnetarëve dhe kompanive të ndryshme që po kontribuojnë në shuarjen e zjarrit në malin Goten.
Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe këtë vit vendi përballet me shumë zjarre në pyje.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Velesit dje (25 korrik) pasdite dënoi personin juridik “Real Gradba”, si dhe pronarin e saj, Tase Ilievski, dhe punonjësin Marjan Angellov, për veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë publike” për shkaktimin e zjarrit mbi liqenin “Mladost” në vitin 2019.