Skupi KamerFest përmbylli edicionin e tij të 9-të

Edicioni i nëntë i festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës “Skupi KamerFest 2026” organizuar nga Shoqata për Afirmimin e Kulturës Muzikore MUZA, është përmbyllur me sukses, duke sjellë në Shkup pesë mbrëmje koncertale me pjesëmarrjen e artistëve të njohur nga Austria, Spanja, Italia, Japonia, Franca, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Përgjatë këtij edicioni, festivali ofroi një program të larmishëm muzikor, duke ndërthurur interpretime të veprave të kompozitorëve të njohur me bashkëpunime artistike ndërkombëtare, shkruan Portalb.mk.

Festivali nisi më 10 tetor me koncertin “Caprice Viennoise”, ku para publikut u paraqitën violinisti Gernot Winischhofer dhe pianisti Denis Javorsky. Programi vazhdoi më 12 tetor me koncertin “The Spanish Trumpet”, ku performoi trumbetisti spanjoll Vicente Campos, së bashku me muzikantët Stefan Iliev dhe Avni Krasniqi.

Më 16 tetor, violinisti Vadim Chizik dhe pianistja Nita Grubi sollën koncertin “With Life”, me vepra të kompozitorëve Antonín Dvořák dhe Felix Mendelssohn. Ndërkaq, më 23 tetor, pianistët Sugiko Chinen dhe Luca Arnaldo Maria Colombo u prezantuan para publikut me koncertin “Dy zëra, katër duar”.

Mbrëmja përmbyllëse u mbajt më 5 nëntor me koncertin “Song Without Words”, ku interpretoi ansambli i njohur Amatis Trio nga Austria, i përbërë nga violinistja Lea Hausmann, violonçelisti Samuel Shepherd dhe pianisti Mengjie Han.

Përveç koncerteve, festivali i kushtoi vëmendje të veçantë edhe edukimit dhe zhvillimit profesional të muzikantëve të rinj. Në këtë kuadër u organizuan masterklasa me violinisten Lea Hausmann dhe violonçelistin Samuel Shepherd, duke u krijuar pjesëmarrësve mundësi për të përfituar nga përvoja dhe njohuritë e artistëve ndërkombëtarë.

Me nëntë edicione të realizuara, “Skupi KamerFest” vazhdon të afirmohet si një platformë e rëndësishme për promovimin e muzikës së dhomës, prezantimin e artistëve ndërkombëtarë dhe mbështetjen e talenteve të reja. Festivali synon njëkohësisht të forcojë lidhjet kulturore ndërmjet vendeve dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e muzikës klasike.

Edicioni i nëntë i “Skupi KamerFest” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Ambasadës së Mbretërisë së Spanjës dhe Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), si dhe Ambasadës së Republikës së Austrisë.