Kos: Integrimi evropian i Shkupit varet nga politikanët e vendit dhe ndryshimet kushtetuese
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos sot tha se Maqedonisë së Veriut i duhen vetëm ndryshimet kushtetuese, që pastaj të vazhdojë rrugën e saj evropiane, transmeton Telegrafi.
“Ndryshimet kushtetuese janë hapi që duhet të ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të vazhduar procesin e integrimit evropian pa vendime të mëtejshme politike, tha komisionerja e BE-së për zgjerimin”, Marta Kos, pas një takimi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Maqedonisë së Veriut për Çështjet Evropiane, Bekim Sali sot në Bruksel, përcjell “BGNES“.
Komisionerja Evropiane i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë qeverisë së Maqedonisë që të përmbushë detyrimin e saj në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
“Nuk ka shumë gjëra që duhen bërë. Ka shumë, por bëhet fjalë për një hap, ndryshimet kushtetuese. Pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, do të jemi në gjendje të vazhdojmë pa vendime të mëtejshme politike. Pra, ky është apeli im për qeverinë: ju lutem bëjeni, përmbushni detyrimin tuaj. Jam e sigurt se atëherë do të jemi në gjendje të ecim përpara në interesin më të mirë të qytetarëve tuaj”, tha ajo.
Sipas mendimit të saj, momenti aktual është një mundësi për Maqedoninë e Veriut që të ecë përpara drejt BE-së, duke treguar përparimin e vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor.
“Shpresoj që shumë shpejt do të nënshkruajmë marrëveshjen e pranimit me Malin e Zi. Shqipëria gjithashtu po bën përparim të mirë. Pra, ky është momenti i duhur që Maqedonia e Veriut të ecë përpara. Varet nga politikanët në Maqedoninë e Veriut të përmbushin pritjet”, tha Kos.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese
- LEXO: Mickoski: Zgjidhja e bllokadës me Bullgarinë qëndron te dialogu
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese