Mbappe kërkoi falje: Gabova! Kam lënduar shumë njerëz

Kylian Mbappe përballet me një tjetër goditje jashtë fushës së blertë. Ylli francez ka humbur bashkëpunimet me të paktën tre kompani kineze, pas një polemike të shkaktuar nga një video që qarkulloi në rrjetet sociale dhe që lidhet me figurën historike të Mao Ce Dunit, raporton Klan.

Polemika nisi pas publikimit të një videoje, ku futbollisti citoi një meme që i referohet një diktatori kinez. Më pas shfaqet një imazh i manipuluar, ku fytyra e tij vendoset mbi atë të Mao Ce Dunit, themeluesit të Kinës Komuniste.

Pas përmasave të mëdha që mori çështja, sulmuesi u detyrua të dalë me një deklaratë zyrtare, ku ka kërkuar falje publike.

“Gjatë një interviste të kohëve të fundit, reagova ndaj një imazhi tim. Fjalët e mia ishin të gabuara dhe sot e kuptoj se ato kanë lënduar shumë njerëz në Kinë dhe në komunitetin kinez në mbarë botën. U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që u ofenduan nga fjalët e mia. Absolutisht nuk ishte qëllimi im. Kam respekt të thellë për popullin kinez dhe historinë e tyre dhe më vjen sinqerisht keq”, shkruan Mbappe.