Çmimi më i ulët nuk do të jetë më kusht për zgjedhjen e ofertës më të favorshme në Maqedoninë e Veriut, u miratuan ndryshimet ligjore
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i miratoi ndryshimet në Ligjin e Prokurimit Publik. Me ndryshimet, çmimi më i ulët nuk do të jetë më kriteri i vetëm për zgjedhjen e ofertës më të favorshme. Ministria e Financave thotë se ndryshimet rrjedhin nga përvojat e deritanishme në zbatimin e Ligjit, nevoja për ta përafruar atë me kushtet aktuale ekonomike dhe prioritetet e reformave të përcaktuara në agjendën e reformave dhe planin e rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.
“Një nga segmentet kryesore është promovimi i tregut elektronik për prokurime me vlerë të ulët, me qëllim rritjen e përdorimit të tij dhe inkurajimin e konkurrencës më të madhe midis operatorëve ekonomikë. Në të njëjtën kohë, po futet zbatimi i detyrueshëm i kriterit – raporti më i mirë çmim-cilësi, në mënyrë që gjatë përzgjedhjes së ofertës më të favorshme, përveç çmimit, të merret parasysh cilësia dhe justifikimi afatgjatë”, tha Ministria e Financave.
Ndryshimet ligjore forcojnë gjithashtu digjitalizimin e prokurimit publik duke zgjeruar kompetencat e Byrosë së Prokurimit Publik për të përdorur mjete dhe zgjidhje moderne digjitale bazuar në inteligjencën artificiale. Qëllimi, sipas Ministrisë, është monitorimi më efikas i procedurave, njohja në kohë e rreziqeve dhe parandalimi i abuzimeve të mundshme. Përveç kësaj, po krijohet një bazë ligjore për krijimin e shërbimeve ueb dhe shkëmbimin automatik të të dhënave me institucione të tjera dhe subjekte përkatëse.
“Me qëllim rritjen e transparencës, po futet një detyrim për të publikuar një njoftim paraprak vullnetar të transparencës në procedurat e negociuara pa publikimin e një njoftimi në rastet e përcaktuara ligjërisht. Kjo lejon një pasqyrë më të madhe për publikun dhe operatorët ekonomikë, ndërsa në të njëjtën kohë thjeshton disa procedura administrative”, tha Ministria e Financave.