RMV, për herë të parë do të ketë pushim pranveror për nxënësit, viti shkollor do të zgjatë deri më 17 qershor

Për herë të parë në arsimimin në Maqedoninë e Veriut, me vendim qeveritar do të ketë pushim pranveror për nxënësit në shkolla fillore dhe të mesme, konfirmoi për Meta.mk, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Tanimë gjatë kohë kompetentët planifikojnë ndryshime në kalendarin për vitin e ardhshëm shkollor, transmeton Portalb.mk.

“Pushimi pranveror do të zgjatë prej 29 prill deri më 5 maj. Me këtë, do t’u mundësohet nxënësve që të kenë pushim pranveror sipas shembullit të vendeve evropiane. Përndryshe, viti shkollor fillon më 1 shtator, ndërkaq gjysmëvjetori i parë do të zgjatë deri më 30 dhjetor. Gjysmëvjetori i dytë, do të fillojë më 22 janar dhe viti shkollor do të mbarojë më 17 qershor”, sqaroi për Meta.mk ministri Shaqiri pas seancës së sotme qeveritare, në të cilën është votuar propozimi.

Pushimi përveç nxënësve, do të vlejë edhe për kuadrin mësimor dhe të punësuarit tjerë.

Para këtij vendimi, i cili është përfundimtar, diskutohej për mundësinë që viti shkollor të fillojë në mes të shtatorit.