Siljanovska- Davkova: Listat e pavarura për zgjedhjet lokale nuk duhet të mbledhin nënshkrime 

Kryetarja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska- Davkova në pyetjen gazetareske për problemin të cilin e kanë alarmuar iniciativat qytetare për mbledhjen e nënshkrimeve, tha se edhe po të mbetej vakum ligjor listat e pavarura ose kandidatët e pavarur përsëri do të mund të formohen, sepse nuk është shfuqizuar neni 60, transmeton Portalb.mk.  

“Në nenin 60 thuhet se, kandidatë në zgjedhjet lokale mund të propozojnë partitë politike, por edhe qytetarët përmes listave të pavarura. Në këtë rast nuk ka nevojë për nënshkrime” tha kryetarja Siljanovska Davkova.  

Së fundmi disa nga nismat qytetare  në Shkup njoftuan se do të regjistrohen si parti politike.

Nismat e pavarura dhe aktivistët qytetarë nga mbarë vendi vazhdimisht kanë reaguar për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje, për pasiguritë ligjore dhe vënien në pikëpyetje të të drejtave të garantuara kushtetuese të mijëra qytetarëve, me dështimin për të përcaktuar pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet e ardhshme.

Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.  Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.