RMV, pas një muaji do të shpallen zgjedhjet lokale, rregullat ende s’dihen, por modeli që propozohet mund të jetë problematik
Presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që pas një muaji t’i shpallë zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese, për të dytin nuk merren vesh, shkruan Portalb.mk. Çfarë në thelb do të thotë një njesi zgjedhore, modeli që e mbështet kryeministri Mickovski, biseduam me ekspertin Kristijan Fidanovski.
Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së. Propozues është Partia Liberal Demokrate.
Kryetarja e kësaj partie, Monika Zajkova, për Portalb-in tha shkurt se kanë kërkuar interpretim autentik tl propozim-ligjit. Nëse propozim-ligji s’kalon para zgjedhjeve, Zajkova thotë se do të ketë boshllëk ligjor.
“Mendoj që ligji ka arritur për lexim të dytë, por nuk është në rend të ditës për javën e ardhshme. Ne kërkuam interpretim autentik pasi këtë e kërkoi edhe sektori civil. Supozoj që propozim-ligji do të kalojë para zgjedhjeve lokale, në të kundërtën rrezikon të ketë boshllëk ligjor për listat e pavarura.” tha Zajkova.
Propozohet një njesi zgjedhore, por jo vetëm
Kristijan Fidanovski është doktor shkencash nga Universiteti i Oksfordit dhe hulumtues në Institutin Ekonomik të Vjenës. Për Portalb-in thotë se modeli që propozohet aktualisht do t’i thellonte më shumë problemet që veçse i kemi.

“Modeli që po propozohet (një njësi zgjedhore pa prag) shumë gjasë do t’i thellonte problemet që tashmë i kemi (koalicione të paqëndrueshme, zgjedhje të shpeshta të parakohshme), ndërsa askush nuk garanton që partitë që deri më tani kanë mbetur jashtë ose janë varur nga të mëdhatë (madje edhe në kushte të dyta më të favorshme në Evropë), papritur do të fitojnë deputetë të vetin.” tha Fidanovski.
Ai shtoi se askush nuk kërkon ndryshim kaq rrënjësor të modelit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut por, ajo që sipas Fidanovskit ka hapësirë për t’u përmirësuar, është ulja e numrit të deputetëve.
“Praktika krahasuese evropiane nuk e kërkon domosdoshmërisht një ndryshim rrënjësor të modelit zgjedhor aktual në Maqedoni, veçanërisht jo në drejtim të një përfaqësimi edhe më të gjerë. Parametri i vetëm që ndoshta do të duhej reformuar është numri i deputetëve. Shtetet me popullatë të ngjashme kanë më pak deputetë (p.sh. 80 në Slloveni). Një reformë e tillë do ta bënte pushtetin ekzekutiv më efikas dhe do t’i ulte shpenzimet administrative, por natyrisht nuk do t’u shkonte në favor partive më të vogla.” tha Fidanovski.
Sipas tij, nëse në modelin e propozuar aktualisht me një njësi zgjedhore vendoset prag fiks dhe jo natyror siç është tani, veçanërisht nëse ky prag është mbi 3% “mund ta bëje modelin në tërësi më pak përfaqësues, në kundërshtim me interesat e partive të vogla”.
Deri tani, VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim janë shprehur PËR një njesi zgjedhore, por ende nuk janë marrë vesh për specifikat, siç është pragu zgjedhor, listat e hapura dhe tjera.
8 njesi zgjedhore dhe lista të hapura?
Propozimet të cilat rrisin numrin e njësive zgjedhore, sipas Fidanovskit, çojnë drejt një modeli më pak përfaqësues.
“Të tetë njësi zgjedhore (nëse nuk preken tre parametrat e tjerë), ashtu si çdo propozim me më shumë njësi zgjedhore se gjashtë sa janë aktualisht, do të çonin drejt një modeli më pak përfaqësues.” tha Fidanovski.
Listat e hapura sipas Fidanovskit ka rrezik që të komplikojnë edhe më shumë një proces zgjedhor.
“Sa i përket të dytës (listave të hapura), duhet të peshohen përfitimet e mundshme siç janë decentralizimi i partive dhe demokracia më direkte, përballë ndërlikimit të procesit zgjedhor (fletëvotim më të gjatë dhe më konfuze, por edhe vonesa të mundshme që mund të sjellin dyshime për rezultatin).” tha Fidanovski.
“Për më tepër, demokracia më direkte, duke pasur parasysh normat shoqërore, mund të çojë edhe në një balancë më të dobët rajonale dhe veçanërisht gjinore, sesa ajo që kemi tani. Gjithsesi, edhe këtu praktika evropiane nuk përputhet me propozimin e partive më të vogla, por për mua listat e hapura (dizajni i fletëvotimit) janë në çdo rast një aspekt shumë më pak i rëndësishëm i debatit, krahasuar me katër parametrat thelbësorë të përmendur më lart për modelet zgjedhore: numri i njësive zgjedhore, formula zgjedhore, pragu zgjedhor dhe numri i deputetëve për kokë banori.” shtoi Fidanovski.
Nga LSDM thonë se janë për lista të hapura dhe të hapur për të biseduar për një njesi zgjedhore. Kryetari i partisë, Venko Filipçe këto ditë tha se partia e tij është e gatshme për të biseduar për këtë iniciativë por shtoi se ndryshimet e këtilla duhet të jenë pjesë e një debati të gjerë ku do të marrin pjesë të gjitha partitë politike. Përveç çështjes për një njësi zgjedhore, këtu janë edhe çështjet për census dhe listat e hapura.
Koalicioni VLEN ende nuk është shprehur se për cilin model zgjedhor janë, por nuk e kanë kundërshtuar atë me një njesi zgjedhore.

Kristijan Fidanovski përpos kësaj tha se nga 32 shtetet në Evropë, Maqedonia e Veriut është e dyta me model më përfaqësues zgjedhor, ai thotë se “po, formula e D’Hondt-it është restriktive, por numri i ulët i njësive zgjedhore, mungesa e pragut zgjedhor dhe numri gjigant i deputetëve për kokë banori tashmë janë jashtëzakonisht të favorshme për partitë më të vogla (dhe paraqesin rrezik për efikasitetin e qeverisjes).”
Kujtojmë që propozim-ligjin e fundit organizatat e shoqërisë civile e dërguan në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim, megjithatë, pak ditë më herët ata morën përgjigje nga kjo gjykatë se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për të vlerësuar kushtetuetshmërinë e projektligjeve, por vetëm të ligjeve.
Gjykata Kushtetuese më 20 maj njoftoi se ka shfuqizuar nenet e Kodit Zgjedhor që rrisnin kuotat e nënshkrimeve të qytetarëve që kandidatët dhe listat e pavarura që planifikonin të merrnin pjesë në zgjedhje duhej të mblidhnin. Korpusi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, përfshirë këto, u miratua në mars të vitit të kaluar, në pritje të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar, dhe supozohej të zbatohej edhe për zgjedhjet lokale të këtij viti.
Por tani, pushteti dhe opozita sërish propozojnë me procedurë të përshpejtuar një projektligj të ri për Kodin Zgjedhor, me të cilin përsëri rritet numri i nënshkrimeve të nevojshme për pjesëmarrje të listave të pavarura në zgjedhje.
- LEXO: Nismat qytetare në RMV kundër Mickoskit në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor
- LEXO: MMPT: Propozim-ligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, antidemokratik the kundërshtues
- LEXO: RMV, nismat qytetare kërkojnë kuota më të ulëta për kandidaturat e pavarura
- LEXO: Kandidatët e pavarur kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në RMV: Sulm i përbashkët ndaj demokracisë
- LEXO: RMV, nismat qytetare kërkojnë kuota më të ulëta për kandidaturat e pavarura
- LEXO: Kodi Zgjedhor: Më lehtë mund të formosh parti politike, se sa të garosh si i pavarur, vendi injoron OSBE-në dhe ODIHR-në