Kim pritet të takohet me Putinin për armët

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pritet të takojë presidentin Vladimir Putin në Rusi për të diskutuar për furnizimin me armë të Moskës për luftën e saj në Ukrainë, thanë Shtetet e Bashkuara, transmeton REL.

Ukraina po vazhdon kundërofensivën e saj në jug dhe lindje kundër forcave ruse, por Putin e cilësoi si dështim ofensivën ukrainase, edhe pse Moska duket se po kërkon që urgjentisht të sigurojë më shumë furnizime ushtarake për forcat e saj.

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha se “negociatat për armët midis Rusisë dhe Koresë së Veriut po përparojnë në mënyrë aktive”.

“Ne kemi informacione se Kim Jong Un pret që këto diskutime të vazhdojnë, përfshirë edhe përmes një takimi të liderëve në Rusi”, shtoi ajo.

Javën e kaluar, SHBA-ja paralajmëroi se Rusia veçse është duke zhvilluar bisedime sekrete me Veriun për të marrë një sërë municionesh dhe furnizimesh për përpjekjet e luftës së Moskës.

Kim ka të ngjarë që të niset më vonë gjatë këtij muaji me tren në Vlladivostok të Rusisë, që gjendet jo larg Koresë së Veriut, për t’u takuar me Putinin, raportoi The New York Times.

Kjo gazetë tha se Putini dëshiron të sigurojë municione të artilerive dhe raketa kundërtanke nga Koreja e Veriut dhe Kim madje mund të udhëtojë për në Moskë.

Kim raportohet se po kërkon teknologji të avancuar për satelitët dhe nëndetëset bërthamore, si dhe ndihmë ushqimore për shtetin e tij të varfër.

Një zyrtar në Ministrinë e Bashkimit në Seul, që merret me raportet ndërkoreane, tha se zhvillimet e ndryshme “tregojnë” se mund të arrihet një marrëveshje armësh midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.

“Çdo formë e bashkëpunimit midis Koresë së Veriut dhe shteteve fqinje duhet të bëhet në një mënyrë që nuk minon normat ndërkombëtare dhe paqen”, tha ai për gazetarët.

Uashingtoni tha javën e kaluar se pavarësisht mohimeve, Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me raketa më 2022, të cilat janë përdorur nga grupi mercenar rus, Wagner.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në korrik udhëtoi për në Korenë e Veriut me synim që të sigurojë municione shtesë për luftën, tha Watson të hënën.

Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara, SHBA-ja, Britania, Koreja e Jugut dhe Japonia thanë se çdo marrëveshje që do të rriste bashkëpunimin midis Rusisë dhe Koresë së Veriut do të përbënte shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit, të cilat ndalojnë marrëveshjet e armëve me Phenianin. Këto rezoluta janë mbështetur edhe nga Moska.

Ata thanë se pas vizitës së Shoigut në Phenian edhe një grup tjetër i zyrtarëve rusë udhëtuan drejt Koresë së Veriut për të vazhduar bisedimet për armët.

SHBA-ja muajin e kaluar sanksionoi tre entitete që i akuzoi se po synonin të ndërmjetësonin marrëveshjet e armëve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, përderisa Uashingtoni po ashpërson kufizimet lidhur me mbështetjen e luftës së Moskës në Ukrainë.