Si dështoi projekti për rinovimin e ujësjellësit në Gostivar?

Për projektin e rinovimit të ujësjellësit në Gostivar dhe për përforcimin institucional të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec” janë shpenzuar shtatë milionë e 132 mijë euro. Letra e qëllimit e siguruar nga Telma zbulon se komuna ka kërkuar ndihmë financiare nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike SECO dhe Banka Gjermane për Zhvillim, ndërsa një pjesë të parave i ka siguruar vetë Komuna e Gostivarit në vitin 2016, transmeton Portalb.mk.

Komuna dhe “Komunalec” kanë rënë dakord që të marrin pjesë në këtë projekt me 682.000 euro, ndërsa nga SECO janë siguruar më shumë se 4,5 milionë euro.

Banka gjermane ka marrë pjesë me pothuajse 2 milionë euro. Edhe pse projekti është dashur të fillonte në vitin 2016, fillimi i tij është shtyrë për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të vitit 2017, pas çka në vitin 2018 filluan punimet teknike.

Letra është nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i komunës, Nevzat Bejta, dhe drejtori i “Komunalec”, Memedali Xhaferi, por projekti është realizuar gjatë kohës kur kryetar komune ishte Arben Taravari pas fitores në zgjedhjet e vitit 2017.

Burime nga “Komunalec” për Telma njoftojnë se një pjesë e projektit nuk është realizuar kurrë, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse është lëshuar në përdorim, nuk ka funksionuar asnjëherë.

Këto ishin të gjitha investimet e planifikuara që duhej ta përmirësonin sistemin e furnizimit me ujë, mes të cilave ishte edhe ndërtimi i tri rezervuarëve të ujit në Banjicë, Çegran dhe Zdunjë.

Më i madhi prej tyre, ai në Zdunjë, me kapacitet prej 6 mijë metrave kub u lëshua në përdorim në vitin 2024, por sipas të njëjtave burime, për shkak të zhvendosjes së rezervuarit ai nuk funksionoi kurrë pasi u raportuan probleme me mbushjen e tij.

Dy rezervuarët e tjerë më të vegjël prej 900 dhe 800 metrave kub nuk u ndërtuan fare, edhe pse një pjesë e tubacioneve që duhej të çonin drejt tyre u lëshuan në përdorim.

Pikërisht për shkak se projekti nuk është realizuar plotësisht, nuk ka mundur të realizohet edhe zonimi hidraulik dhe menaxhimi i presionit, gjë që ka si rezultat mungesë të vazhdueshme të ujit dhe presion jo të barabartë në disa pjesë të komunës, thonë punonjësit e tanishëm të “Komunalec” të cilët janë mirë të njoftuar me punën e sistemit.

Për të gjitha pyetjet lidhur me projektin e financuar nga Ambasada Zvicerane dhe Agjencia SECO, ata për Telma u përgjigjen si vijon:

“Shprehim keqardhje të thellë për ngjarjet në Gostivar dhe duam të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për personat e prekur. Projekti nisi në dhjetor 2016 dhe përfundoi në dhjetor 2023. Të gjitha komponentat e projektit të financuara nga kontributet tona janë përfunduar, ndërsa projekti i është dorëzuar ndërmarrjes publike komunale të Gostivarit. Nga dhjetori i vitit 2023 nuk jemi më të përfshirë në ndërhyrje/investime sepse operimi dhe mirëmbajtja janë nën kompetencën e ndërmarrjes publike – SECO- Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike”.

Sipas informacioneve nga prokuroria, për momentin nuk ka ndonjë hetim për realizimin e projektit. Banorët e Gostivarit vazhdimisht po përballen me probleme në furnizimin me ujë që rezultuan edhe me epidemi. Kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat tha se ka një mbikëqyrje që duhet të kryejë revizion edhe për këtë projekt, pa theksuar se për cilin institucion e ka fjalën.

Ndryshe, në Gostivar u shpall epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.

Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.