Ylli zviceran i muzikës rap, Ele A, vjen për performancë live në Shkup

Ambasada e Zvicrës në Shkup fton publikun në një performancë live të Ele A, një prej artisteve më premtuese dhe inovative të muzikës rap në Zvicër, e cila do të mbahet në kuadër të edicionit të sivjetmë të konferencës muzikore PIN Conference, raporton Portalb.mk. Koncerti do të zhvillohet më 27 nëntor, duke filluar nga ora 23:00, në Qendrën Kulturore Rinore (QKR) në Shkup, ndërsa hyrja për të gjithë të interesuarit është falas.

E lindur në Lugano në vitin 2002, Ele A ka arritur të lërë gjurmë të shpejta në skenën evropiane të muzikës urbane falë gërshetimit të saj karakteristik të hip-hop-it dhe pop-it urban, teksteve të drejtpërdrejta dhe stilit plot vetëbesim. Pas publikimit të EP-ve Globo (2023) dhe Acqua (2024), ajo solli albumin e saj debutues Pixel në vitin 2025, me të cilin fitoi çmimin Breakthrough Award në Billboard Italia Women in Music. Me afro një milion dëgjues mujorë në platformën Spotify dhe me EP-në e saj më të re të titulluar 26 (2026), ajo vlerësohet si një nga emrat më të veçantë që ia vlen të ndiqet drejtpërdrejt në skenë.

Përtej performancës së drejtpërdrejtë në skenë, publiku ftohet të ndjekë kanalet zyrtare të Ambasadës së Zvicrës në Facebook dhe Instagram, ku do të publikohet një bashkëpunim i veçantë shumëgjuhësh dhe multikulturor mes Ele A dhe artistit KEM nga Maqedonia e Veriut, projekt ky që bashkon gjuhë, prejardhje dhe ritme të ndryshme muzikore.