Shpirtërorja, solidariteti dhe kontradiktat

Rrugët e qytetit në mëngjes janë pothuajse bosh. Me punë fillohet më vonë dhe mbarohet më herët. Nxënësit kanë orar të shkurtuar në shkollë, të gjithë kanë telashin të arrijnë në kohë në shtëpi për iftar. Pasditet janë të ngarkuara, në rrugë shoferët vozisin të dekoncentruar dhe tërësisht jashta rregullave të komunikacionit, qytetarët zihen se kush ishte në rradhë për të blerë bukët e ngrohta te furra, sabri dalëngadalë i lëshon të gjithë, veçanërisht duhanpirësit, dhe qetësia që duhet të vijë me agjërimin e len lamtumirën.

Ky muaj i shenjtë në esencë është periudha më  e rëndësishme për t’u përballur me veten dhe për të rritur ndërgjegjësimin për të ndihmuar të tjerët. Kuptimi i vërtetë i këtij muaji shtrihet përtej asaj çfarë bëjmë fizikisht. Agjërimi duhet të jetë një shprehje e përulësisë dhe përkushtimit ndaj rrugës së drejtësisë dhe moralit. Agjërimi nuk është vetëm një privim nga ushqimi dhe uji, por një përkushtim i thellë ndaj vlerave morale dhe shpirtërore.

Në thelb të përkushtimit religjioz është solidariteti dhe empatia ndaj të tjerëve. Idea është që gjatë këtij muaji të bëhemi më të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve dhe të tregojmë më shumë kujdes dhe dashuri ndaj familjes, fqinjëve, komunitetit… Dhurimi dhe veprat e mira duhet të shtohen gjatë kësaj kohe, e megjithatë, ne e kemi shndëruar këtë kohë në një një muaj të tërë konsumimi të pa fre. Fakti që rimë disa orë pa bukë gjatë ditës befas na i arsyeton të gjitha: konsumimin e pafrenuar të ushqimit dhe kafes në orët e mbrëmjes dhe natës, kalimin e një pjese të mirë të ditës në gjumë, reduktimin e punës dhe harxhimin e paplanifikuar në iftare madhështore që duhet t’i impresionojnë të gjithë… Gjithkush ankohet nga inflacioni i çmimeve të larta e megjithatë nuk gjeni dot një tavolinë të lirë në restoran gjatë kohës së iftarit. Shumica ankohen nga skamja e megjithatë në mbërmje e shtrojnë tryezën me dhjetëra lloje ushqimesh, shumica nga të cilat mbeten pa ngrënë dhe hidhen në mbeturina, në këtë muaj të bekuar kur ndarja e ushqimit me të varfërit është ajo që duhet bërë.

Ky muaj i bekuar duhet të jetë një kohë për reflektim dhe rritje personale. Nëpërmjet meditimit dhe analizës së sjelljeve personale, ne duhet të përpiqemi t’i identifikojmë dhe t’i përmirësojmë cilësitë tona negative, duke punuar drejt përmirësimit të vetes në aspektet morale dhe shpirtërore. Ky mund të jetë një muaj i mirë për të ndërtuar shprehi të mira si për shembull, kujdesi ndaj vetes, ushqimi i kufizuar dhe cilësor, higjiena mentale dhe çlirimi nga mendimet e këqija, përhapja e eneregjisë pozitive…

Ky muaj duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të jetuar një jetë më të qetë, dhe më të lumtur. E megjithatë, në të shumtën e rasteve, ajo që vërtet ndodh gjatë këtij muaji është prishja e atyre pak shprehive të mira që i kemi, vendosja e shprehive të reja si të fjeturit vonë gjatë mengjesit dhe mungesa absolute e kontrollit jo vetëm të ushqimit, por edhe të kacafytjeve dhe përçarjeve që aq shumë i proklamojmë si shoqëri.

Një muaj është kohë e mjaftueshme për të vendosur shprehi të reja dhe të dobishme, për të bërë një pastrim gjeneral shpirtëror dhe për të kuptuar esencën e ekzistencës tonë në këtë botë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.